Qëndrimi i PDK-së për daljen e Listës Serbe nga qeveria

27.03.2018 17:21:47

Qëndrimet e para nga Partia Demokratike e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të Listës Serbe për të dalë nga Qeveria Haradinaj, vendim ky që ishte si rrjedhojë e ngjarjeve të djeshme në veri të vendit dhe arrestimit të Marko Gjuriqit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit edhe anëtar i Kryesisë së kësaj partie, Zenun Pajaziti, ka thënë për lajmi.net se ndonëse PDK-ja nuk ka ende një qëndrim zyrtar lidhur me vendimin e Listës Serbe për dalje nga qeveria, ai nuk beson se ky veprim i tyre do të dëmtojë proceset demokratike në Kosovë.

“Ne nuk kemi ende qëndrim zyrtar për këtë çështje. Kjo është në frymën e asaj që ne kemi përcaktim si Kuvend, pra për t’i forcuar institucionet e Kosovës dhe sovranitetin e vendit në të gjithë territorin e Kosovës dhe me qenë në konsultim për procesin e dialogut.  Mirëpo gjithsesi besoj që këto ngjarje nuk do të ndikojnë në këto procese”, ka thënë Pajaziti.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka bërë të ditur që partia e tij nuk do të jetë më pjesë e Qeverisë Haradinaj, dhe si pasoj do të ndërpresë edhe bashkëpunimet me këtë të fundit.