‘Qeveria do të bëhet brenda afateve ligjore, i kemi votat’

21.07.2017 23:15:30

Koalicioni PDK-AAK-Nisma ka mbledhur shumicën e nevojshme të votave që Ramush Haradinaj ta formojë Qeverinë.

Kështu të pakten shprehet nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj.

Ai ka thënë se PAN-i brenda afateve ligjore do të ndërmarrë hapat konkret për të formuar institucionet.

“Koalicioni fitues PAN dhe të tjerët është në kontinuitet duke i harmonizuar të gjitha vijat e qeverisë së ardhshme e cila do të udhëhiqet nga Ramush Haradinaj dhe po, e ka shumicën e nevojshme për të krijuar institucionet. Jemi brenda afateve ligjore dhe nuk është vetëm çështje deklaratash, por do të jenë veprime konkrete, brenda afateve ligjore të krijimit të institucioneve të reja të vendit tonë”, ka deklaruar ai.

Lekaj ka komentuar deklaratat e anëtarëve të subjekteve si LDK-ja e Lëvizja Vetëvendosje lidhur me votën e tyre kundër Haradinajt.

Sipas tij, për votën e tyre vendosin vetë deputetët, por që koalicioni PAN është fitues dhe nuk mund ta pengojë askush.

“Ne i marrim në konsideratë të gjitha deklarimet e subjekteve tjera dhe në të njëjtën kohë mund të themi se krijimi i institucioneve, as nuk mund të bëhet e as të pengohet me inate e kalkulime përsonale-ditore. Pra është çështje e deputetëve se si do të përcaktohen në seancë dhe pas tyre”, është shprehur Lekaj.

Lidhur me vonesën e caktimit të seancës konstituive nga ana e presidentit Hashim Thaçi, Lekaj ka thënë se është kompetencë e tij se kur ta thërras seancën.