Qeveria e Kosovës bën thirrje për qetësi: Lufta e popullit të Kosovës dhe UÇK-së ishte e drejtë

24.06.2020 19:49:18

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për medie ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për qetësi, pas njoftimit të publikuar nga Prokuroria Speciale se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Në komunikatë theksohet se askush nuk mund të cilësohet fajtor pa një vendim përfundimtar të gjykatës dhe se Qeveria beson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, është njoftuar sot nëpërmjet një deklarate për shtyp se Zyra e Prokurorit Special ka deponuar pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale një aktakuzë ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli. Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës. Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi. Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ka njoftuar të mërkurën pasdite se i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Veseli gjatë konferencës për medie i ka quajtur politike dhe të pabazuara pretendimet e prokurorit të Prokurorisë Speciale për kinse krime dhe pengim të punës së Gjykatës Speciale.

Lideri i PDK-së tha se në një veprim të paprecedentë, Prokurori ka lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon.