Qeveria e Kosovës: Marko Gjuriq gënjeshtar

16.08.2016 13:44:17

Qeveria e Kosovës, e ka quajtur gënjeshtar shefin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Ky zyrtar i lartë serb, pati deklaruar se në Bruksel, në mes delegacionit kosovar dhe atij serb, do të diskutohet edhe për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Mirëpo kjo deklaratë e tija është mohuar nga Prishtina, duke thënë se në Bruksel, u diskutua vetëm për çështjet e kodit telefonik.

“Njoftojmë opinionin se ky takim ka qenë vetëm për çështjet e kodit telefonik dhe se përfaqësuesi i Serbisë, Marko Gjuriq ka gënjyer kur ka thënë se në Bruksel do të bisedohet për asociacionin”, thuhet në një kumtesë të qeverisë.

Në anën tjetër, bisedimet 20 orëshe për kodin e ri telefonik të Kosovës, janë përmbyllur pa dakordim, për shkak se siç tha qeveria, pala serbe s’po e respektonte marrëveshjen e lidhur në mes të dyja vendeve.