Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

04.05.2017 13:34:24

 

Drejtuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, kabineti qeveritar ka mbajtur sot mbledhjen e 144-të me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje dhe vendime nga fusha e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Në këtë mbledhje, është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2017.
Në këtë program, janë përfshirë:
– Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës
– Projektligji për Agjencinë e Tatimeve dhe Doganës së Kosovës
– Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare IPA2016 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian
– Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës (MASHT) dhe Stitching Spark-ut të Holandës (“SPARK”), mbi mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë
– Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-159 për Zonat Ekonomike.

Më pas, Qeveria e Kosovës miratoi edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës.
Me këtë ndryshim, edhe Presidenti barazohet me zyrtarët e lartë që përfitojnë sipas Ligjit për përfitimet e ish-Zyrtarëve të Lartë të Republikës së Kosovës, pasi që deri më tani në Ligjin paraprak ka qenë i përjashtuar.
“Kemi të bëjmë me një ndryshim i cili konsiston që të kemi një legjislacion të barabartë edhe për Presidentin e Republikës së Kosovës, dhe ish-zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, ngase në ligjin paraprak ka qenë i përjashtuar Presidenti i Republikës së Kosovës. Me këtë nen barazohet Presidenti i Republikës së Kosovës, ish-presidentët në fakt, me ish-kryetarët e Kuvendit, kryeministrat, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme, dhe Kryeprokurorin e shtetit”, tha zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi.

Kryeministri Isa Mustafa ka sqaruar edhe njëherë se nuk flitet për presidentin aktual, por është dhënë iniciativa vetëm të barazohet statusi i presidentit me statusin e bartësve tjerë të pozitave të larta, për të cilët zbatohen kritere të njëjta dhe se kjo i takon edhe ish-presidentëve, pas vitit 2008.

Edhe Projektligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme është miratuar sot. Qëllimi i këtij projektligji është vendosja e tatimit mbi pronën e paluajtshme dhe përcakton rregullat dhe procedurat themelore për administrimin e tatimit në pronën e paluajtshme nga Komunat dhe Ministria e Financave, duke pas parasysh arsyet e forta ekonomike dhe praktike për të forcuar tatimin në pronë, pasi është i drejtë, i parashikueshëm dhe vështirë për t’u shmangur.
Kryeministri Mustafa ka theksuar rëndësinë që ka ky projektligj, dhe që ndikon në shfrytëzimin racional të pronave.
“Është një ligj specifik, që është punuar gjatë, që ndikon në shfrytëzimin racional të pronave, të hapësirave që janë, sepse njerëzit detyrohen që të kenë tatime mbi to dhe shfrytëzimin e tokës. Lypsen përgatitje në popullatë për zbatimin e këtij tatimi, prandaj, është një hap mjaftë i rëndësishëm në këtë fushë”, tha kryeministri.
Pas kërkesës së Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, u vendos që të përjashtohet pagesa për tokat që përdoren për prodhimtarinë bujqësore.

Qeveria mori vendim për vazhdimin e mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.

Në këtë mbledhje, është miratuar edhe vendimi për rialokimin e mjeteve në buxhetin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në përputhje me marrëveshjet e mirëkuptimit, të nënshkruara nga Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal dhe kryetarët e komunave për projekte kapitale. Përmbyllja e fazës së tretë dhe të katër të nënshkrimit të marrëveshjeve të mirëkuptimit, ka sjell përzgjedhjen e 14 projekteve për financim, përfitues të së cilës janë komunat e Republikës së Kosovës.

Qeveria ka miratuar edhe Koncept Dokumentin për Zhvillimin Ekonomik Lokal, që synon të forcojë kornizën e politikbërjes në nivelin lokal, në funksion të sigurimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik lokal dhe ngritjes së mirëqenies së qytetarëve. Konkretisht, synohet hartimi i Strategjisë për zhvillimin ekonomik lokal, që do të ketë fokus financimin e qëndrueshëm lokal, tërheqjen e investimeve të jashtme përfshirë edhe përmes legjislacionit për zonat ekonomike dhe zhvillimin e turizmit lokal.

Është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësim të pronave të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës R6 Prishtinë – Hani i Elezit, Sektorët: Cl, C2, C2a dhe C2b.

Qeveria në mbledhjen e sotme, miratoi vendimin për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme dhe pronarëve e zotëruesve të interesit, të cilat preken nga rikonstruimi i rrugës nacionale N2 udhëkryqi Gjilan – QMI, Zona kadastrale Llapna Sellë, Komuna e Graçanicës.

Po ashtu, vendimi i cili ka të bëjë me shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme private, komunale dhe shoqërore të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga ndërtimi i “Zonës Ekonomike Industriale” përballë “Parkut të Biznesit në Drenas, përkatësisht Zona Kadastrale, Sankoc, Komuna Drenas, u miratua në mbledhjen e Qeverisë.

Në mbledhje, gjithashtu, u miratua edhe vendimi për shpronësimin për interes publik të pronave shoqërore KBI “Kosova Export” dhe NSH “Bujqësia”, Obiliq, të cilat preken nga realizimi i Projektit për renovimin/rindërtimin e Stadiumit të Futbollit “Agron Rama” në Komunën e Obiliqit.

Qeveria e Kosovës, në mbledhje e sotme, miratoi edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Projektin Sanimi i kulmit të shkollës fillore “Ramë Bllaca” në Bllacë-Suharekë.

Në mbledhjen e sotme u miratua edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për Shoqatat Familjare të të zhdukurve të Kosovës, mjete këto që do të përdoren për mbulimin e aktiviteteve, siç është shënimi i Ditës së të Pagjeturve, Ditës Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur, për të drejtat e njeriut, dhe aktivitete tjera që kanë të bëjnë me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Është miratuar edhe vendimi për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Regjistrimit Civil.

Kabineti qeveritar, ka miratuar edhe rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila ka për qëllim përcaktimin e organizimit të brendshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe organeve tjera të administratës shtetërore nën mbikëqyrjen e kësaj Ministrie.

Kryeministri i Mustafa, në mbledhjen e sotme kërkoi nga Ministria e Financave, që në koordinim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të propozojë mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civilë, për punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë.
“Javën e kaluar kemi aprovuar informatën lidhur me ecuritë e buxhetit dhe për kornizat për vitet e ardhshme. Kemi konstatuar se kemi një qëndrueshmëri të mirë buxhetore gjatë kësaj periudhe, kemi lëvizje të mira ekonomike. Tash në suaza të kësaj unë dëshiroj të kërkoj nga Ministria e Financave që në mbledhjet e ardhshme, prapë në koordinim me FMN-në, të propozojë edhe mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civil dhe njerëzit tjerë që punojnë në arsim dhe në shëndetësi, në gjysmën e këtij viti, në mënyrë që të përgatitemi edhe gjatë rishikimit të buxhetit t’i kemi këto komponente dhe pastaj të zbatojmë në të ardhmen në mënyrë automatike rritjen e pagave sipas rritjes ekonomike. Unë konsideroj se gjatë këtyre dy viteve kemi pasur rritje të konsiderueshme e cila na mundëson një lëvizje sa i përket rritjes së pagave në të ardhmen. Do të kemi parasysh edhe sektorin privat në mënyrë që të mos krijojmë diferenca shumë të mëdha, të cilat pastaj nxisin ikjen e kuadrove nga një sektor në sektorin tjetër. Nëse pajtoheni do të kërkojmë nga Ministria e Financave që të vijë me një propozim të caktuar gjatë përgatitjes së ndryshimit dhe plotësimit të buxhetit për vitin e ardhshëm”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e sotme ka njoftuar kabinetin qeveritar për Memorandumin e Mirëkuptimit të cilin do ta nënshkruaj nesër në Londër bashkë me ministrin e Financave. Ky Memorandum ka të bëjë me bashkëpunimin me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim në sektorin e financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë.
Ministri i Financave Avdullah Hoti, para kabinetit qeveritar tha se Memorandumi i Mirëkuptimit i cili do të nënshkruhet nesër në Londër me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim është në mbështetje plotësisht të sektorit privat.
“BERZH ka aprovuar strategjinë pesë vjeçare për Kosovën vitin që shkoi dhe brenda asaj strategjie përveç mbështetjes që i jep sektorit publik përmes kredive të buta për infrastrukturë dhe sektorë të tjerë, një komponentë e veçantë dhe e madhe në strategji është mbështetja e sektorit privat. Përmes ministrive të linjës ne kemi disa instrumente që po mbështesim sektorin privat, reformat që kemi bërë me pakon fiskale dhe reforma tjera në kuadër të të bërit biznes. Mendojmë se me BERZH-in tash t’i bëjmë bashkë forcat, të krijojmë një sinergji në mbështetje të sektorit privat. Në veçanti do t’i bëjmë bashkë përpjekjet dhe fondet për ndarjen e riskut për financim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në veçanti në sektorin e bujqësisë, por presim që të marrim tash mbështetje konkrete nga BERZH-i në zhvillimin e legjislacionit për Autoritetin e Konkurrencës, në mbështetjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, duke mbështetur sekretariatin, dhe në veçanti për financimin e zhvillimit të Zonave Ekonomike në të gjitha regjionet e Kosovës. Këto janë pikat kryesore të Memorandumit dhe është një listë e gjatë e mbështetjeve konsulente që ministrive të ndryshme pritet t’u jap BERZH-i”, tha ministri Hoti.

Ministri i Shëndetësisë informoi kabinetin qeveritar për situatën rreth konkursit për specialistët e papunë.
“Me propozimin tonë, Ministria e Financave ka propozuar që të ndahen 220 vende të lira dhe buxheti për punësimin e këtyre specialistëve të papunë, që me vendim të Kuvendit është futur në Ligjin për Buxhetin.
Ligji i Buxhetit na ka obliguar ne që të marrim të gjitha masat për sistemimin e këtyre specialistëve të papunë në institucionet tona shëndetësore. Ne krahas hartimit të listës së specialistëve të papunë ndërkohë jemi dakorduar dhe jemi harmonizuar edhe me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, pa anashkaluar edhe mundësinë e sistemimit të stomatologëve sidomos dhe të disa profileve tjera edhe në nivele komunale të institucioneve shëndetësore në kujdes parësor. Duke u bazuar në kërkesat ose nevojat e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar dhe profilit të specialistëve që i kemi pas të specializuar, ne kemi shpallur konkursin për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe një pozitë për Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
Më vonë mendojmë, që është krijuar një situatë e panevojshme me vendimin e Inspektoratit të Punës që ja mohon të drejtën ligjore Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen e konkursit për punësimin e këtyre specialistëve në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, gjë që mendoj se nuk mund të ndodhë ndryshe, pa rishikim të buxhetit, sepse ne i kemi mjetet në Ministri të Shëndetësisë dhe i kemi pozitat, që burojnë nga Ligji aktual i Buxhetit.
Mendoj që Kryeinspektori i Punës duhet ta anuloj vendimin e inspektorit përkatës dhe ne të procedojmë tutje edhe me pjesën për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, sepse me pjesën e konkursit që parasheh sistemimin e 15 pozitave në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe një pozite në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, procedura veç është duke shkuar.
Nuk ka mundësi ligjore që ne t’i bartim këto pozita në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, pa ndryshime në Ligjin e Buxhetit. Jemi të vendosur që ta shtyjmë tutje dhe të shfrytëzojmë të gjithë rrugët ligjore dhe institucionale për vazhdimin e procedurave të rekrutimit të këtyre 220 specialistëve të papunë. Sikur që brenda vitit do të krijohet prapë një numër i konsiderueshëm i specialistëve të cilët nuk do të jenë të sistemuar në institucionet tona publike shëndetësore, sepse duhet ta analizoj një fakt ky numër prej 220 është rritë në muajt e fundit, ka qenë një numër më i vogël i të papunëve, por edhe shumica e tyre që janë deklaruar të papunë kanë qenë të sistemuar ose të punësuar në institucione private shëndetësore, qoftë në klinika të tyre si themelues të institucioneve, qoftë nëpër spitale tjera ose klinika të tjera private”, tha ministri i Shëndetësisë.

Kryeministri Isa Mustafa lidhur me këtë çështje tha se në Qeveri nuk mund të ndahen rregulla, por se rregullat i ka ndarë Ligji.
“Por ajo që unë dëshirova që anëtarët e Qeverisë ta dinë këtë situatë dhe që ne të insistojmë si Qeveri që ju ta kryeni punën në mënyrë që mos të pësojnë specializantët për shkak të procedurave të cilat po zhvillohen. Të sqarohet qartë edhe në pikëpamje ligjore se me buxhet mjetet janë përcaktuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe se konkurs shpall ai që ka buxhetin. Harmonizimi duhet të bëhet me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës në pikëpamje të kuadrove dhe me institucionet tjera. Por, duhet të bashkërenditen punët ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në mënyrë që pastaj të mos mbetet çështje e vullnetit të individëve. Ne ligjin duhet ta zbatojmë maksimalisht por, nuk duhet të lejojmë që të pësojnë njerëzit që kanë konkurruar dhe qytetarët, sepse më mirë do të ishte t’i kemi 220 specializantë në punë, të kryhet kjo procedurë, se sa të stërzgjaten procedurat, njerëzit të bredhin rrugëve dhe qytetarët të kenë më pak 220 mjekë specializantë se sa që i kanë sot, ose që ata vetëm të ushtrojnë punën e tyre nëpër spitale por mos të kenë të drejtë ta kryejnë punën si duhet për arsye se nuk kanë marrëdhënie të rregullt të punës. Prandaj, unë kisha kërkuar prej dy ministrive që ta bëni punën tuaj dhe ta përmbyllni këtë proces. Proceset tjera që kanë të bëjnë me specializantët e tjerë poashtu do t’i shohim se çka mund të bëjmë në mënyrë që të krijojmë prapë kushte që ata mos me lëvizë shumë prej sektorit privat në sektorin publik ose prej publikut në atë privat, por gjërat duhet të përfundojnë sepse Kuvendi e ka sjellë vendimin dhe ne nuk kemi asnjë arsye që ta shtyjmë këtë dhe të presim rishikimin e buxhetit dhe pastaj njerëzit të mbesin pa punë”, tha kryeministri Mustafa.

Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës