Qeveria malazeze në dorën e një shqiptari, me kë do të bashkojë forcat Dritan Abazovic?

31.08.2020 12:31:19

Me garën kaq të ngushtë këtë radhë në zgjedhjet parlamentare të Malit të Zi, u pa qartë se balancën e pushtetit tani mund të lëvizin më të vegjlit. Fokusi u spostua ngadalë tek partitë shqiptare, duke e hedhur fort dritën e prozhektorëve edhe tek forca e vogël politike “Ura”, e cila mund të ketë në dorë animin e balancës së pushtetit.

Kreu i saj, Dritan Abazovic, e konsideron veten një “game changer”, dhe shprehet I bindur se partia e tij do të ketë shumë peshë në krijimin e ekzekutivit të ri. Pavarësisht prapashtesës së mbiemrit, Dritani është krejtësisht shqiptar, i vetmi që ka dalë hapur pro forcave opozitare, prej aleancës me të cilave pati siguruar dhe mandatin e deputetit.

Në 2012-tën, u zgjodh deputet me partinë “Mali I zi pozitiv”, nga e cila më vonë u largua për të krijuar lëvizjen qytetare “Ura”. Rezultatin e votimeve të së dielës, ai e cilësoi përmes një postimi në rrjetet sociale  si “ një fitore të sigurtë të një Mali të Zi qytetar, europian dhe ekologjik”.

“Ju faleminderit që ecët bashkë me ne dhe që shkruam historinë ë artë të Malit të Zi. Lëreni të bjerë që të rifreskohet”, është mesazhi i tij. Abazoviç, i shndërruar sot në lojtar kyç me katër mandatet e siguruara nga partia e tij, ka theksuar se do të kërkojë qeveri ekspertësh, pro ka lënë të kuptohet se  do të jetë e vështirë t`i bashkohet koalicionit të Gjukanovicit, të cilin e konsideron një kundërshtar të ashpër.