Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhje në ora 15:00, ndërsa pritet të merret vendim rreth masave të reja.
Telegrafi merr vesh se në kuadër të masave të reja do të jetë ndalim qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në rastet urgjente.
Po ashtu, institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do të kalojnë në online nga 12 deri më 18 prill, ndërsa ato universitare nga 6 deri më 18 prill.
Masat e reja pritet të prekin edhe gastronominë.
Ndryshe, Shoqata e gastronomeve po mban mbledhje lidhur me masat e paralajmëruara.
Ata janë shprehur kundër mbylljes totale.
Përfaqësues i gastronomëve të Kosovës, Fatos Mexhuani ka thënë sot se e kundërshtojnë mbylljen totale për 12 ditë.
Mexhuani në programin e mëngjesit në RTV Dukagjini tha se sot në ora 14:00 do të mblidhet Shoqata e gastronomëve ku do të vendoset për më tutje edhe pse ende nuk ka vendim final për mbyllje totale ose masa më të rrepta.






































