Qeveria miratoi strategjinë kundër korrupsionit

23.03.2018 12:31:52

Strategji për luftimin e korrupsionit në të gjithë sektorët Qeveria e Kosovës sot e ka miratuar strategjinë Kundër Korrupsionit 2018- 2022, duke vënë theksin në sektorin politik publik, administratën publike, në zbatimin e ligjit si dhe në gjyqësor, prokurim publik dhe menaxhim të financave publike.

Së bashku me strategjinë është miratuar edhe plani i veprimit për zbatimin e kësaj strategjie. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se kjo strategji parasheh luftimin e korrupsionit në të gjithë sektorët. “Kemi aprovuar shtesat për stafin administrativ të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për ta fuqizuar sistemin e drejtësisë. Në kuadër të programit buxhetor “Prokurorët Specialë” janë aprovuar 54 pozita, prej tyre 15 janë prokurorë e 39 staf administrativ i Prokurorisë Speciale”, tha Haradianj me anë të një shkrimi në “Facebook”.

Sipas kryeministrit për 3 vitet e ardhshme për këtë strategji janë planifikuar mbi 15 milionë euro nga të cilat mbi 5 milionë janë doancione. “Njëkohësisht, kemi proceduar me Marrëveshjen Ndërkombëtare për sigurimet sociale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane. Me këtë, u kemi mundësuar qytetarëve, që kanë punuar për kohë të gjatë në Konfederatën e Zvicrës, të drejtën që pensionin ta marrin në Kosovë”, ka shkruar Haradianj