Qeveria miraton kërkesën e Ministrisë së FSK-së për dërgimin e kontingjentit humanitar në Shqipëri

06.12.2017 12:13:33
Qeveria e Republikës së Kosovës, duke gjykuar nga situata e krijuar nga vërshimet dhe përmbytjet në Republikën e Shqipërisë, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës për dërgimin e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë.

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka pranuar dje pasdite, një kërkesë zyrtare nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, për mbështetje logjistike nga Forca e Sigurisë së Kosovës në ndihmë të zonave të përmbytura në Republikën e Shqipërisë, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Qeverisë.

Në kërkesë, në mënyrë te veçantë, është specifikuar nevoja për sigurimin e urave të montazhit. Kërkesa mbështetet edhe në kërkesën e ministres së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë për mbështetje, dhe në nevojën e madhe të vendbanimeve në zonat e Vlorës dhe Fierit, të cilat kanë mbetur të izoluara nga dëmtimi dhe shkatërrimi i urave, transmeton lajmi.net.

Qeveria ka miratuar vendimin për dërgim të kontingjentit humanitar të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Republikën e Shqipërisë. Mbështetja financiare e operacionit humanitar do të sigurohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar një vendim për ndarjen e 30 mijë eurove për mbështetjen e trajtimit shëndetësorë jashtë vendit, të ish-kryeministrit në ekzil dhe ish-zëvendëskryeministrit, Bujar Bukoshi.

Kryeministri ka njoftuar kabinetin qeveritar për takimin e sotëm të Këshillit Ndërministror për Ujëra dhe amandamentimin e marrëveshjes me Qeverinë Zvicerane për mbështetjen e këtij sektori.

“Kryeministri ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit qeveritar që të jenë prezentë në diskutimin e buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2018, në Kuvend”, thuhet më tejë aty.