Qeveria vendos që FSK-ja të shkojë në mision humanitar në Shqipëri

06.12.2017 11:05:09

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së FSK-së për dërgimin e kontingjentit të kësaj force në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë.

Zëvendësministri i FSK-së, Brahim Mehmetaj tha se kërkesa për ndihmë ka ardhur nga ambasada e Shqipërisë në Kosovë.

“Dje në Ministrinë e FSK-së  ka ardhur një kërkesë nga ambasada e Shqipërisë për mbështetje logjistike të FSK-së, në ndihmë zonave të përmbytura në Shqipëri. MFSK menjëherë i ka bërë shkresë Qeverisë që të aprovohet misioni për ndihmë zonave që janë të përmbytura në Shqipëri. Ne kërkojmë që kjo të aprovohet si procedurë,  pastaj shkon te kryeministri dhe presidenti dhe presidenti autorizon FSK-në që të marrë pjesë atje në mision. Kërkesa është për një urë atje. Sipas informatave që kemi janë dëmtuar mbi 70 ura dhe ata kanë nevojë. FSK e ka mundësinë me ndiku dhe është gati me kontribuua në këtë drejtim”, tha Mehmetaj.

E kryeministri, Ramush Haradinaj tha se shpreson që vendimi të merret me kohë për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në Shqipëri.

“…Dje ishte e pamundshme sepse kërkesa erdhi pasdite. Procedura është e paraparë sepse nuk është vendim i kryeministrit, por i Qeverisë. Për këtë arsye iu ftuam edhe sot dhe shpresoj se nëse ne marrim me kohë këtë vendim dhe presidenti autorizon në kohë FSK-në…”, tha Haradinaj.