QKMF-ja blenë orë dore për tri vite nga kompania e njëjtë për punëtorët e pensionuar

24.11.2017 16:02:38

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, për tri vite me radhë ka shpërblyer me orë dore punëtorët e pensionuar.

Për tri vite me radhë, QKMF-ja është furnizuar me këto orë nga kompania e njëjtë, shkruan Gazeta Shneta.

Në vitin 2015 janë blerë orë dore në vlerë 1100 euro nga kompania “NTP ORA” në Prishtinë.

QKMF-ja i ka dhënë tenderin kësaj kompanie edhe dy vite më vonë. Vitin e kaluar 16 punëtorë janë shpërblyer me orë nga kontrata me të njëjtën kompani për 992 euro.

Tradita ka vazhduar edhe sivjet me shpërblimin e orëve dhe me kompaninë e njëjtë. “NTP ORA” ka përfituar tender nga QKMF-ja në vlerë 997.50 euro për 19 orë që do t’iu dhurohen punonjësve të pensionuar.

Rrezart Halili, drejtor në QKMF, thotë se këto shpërblime u jepen punëtorëve në shenjë mirënjohje për kontributin e tyre.

“Njerëzit dalin në pension dhe për çdo vjet ne iu blejmë ora atyre dhe iu japim mirënjohje për kontributin e tyre”, ka deklaruar Halili.

Ai thotë se orët e blera janë me çmimin më të ulët të mundëshëm. E një orë me këtë kontratë kushton mbi 50 euro.

“Ne nuk kemi pare shumë dhe orët i blejmë me çmimin më të lirë në vlerë deri 1 mijë euro”, është shprehur Halili.

Ai tha se orët do t’ju dhurohen punëtorëve që kanë dal në pension përgjatë vitit 2017.