Quni: Kosova të mbrohet nga destabilizimi eventual

17.01.2018 17:22:43

Deputeti Anton Quni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, lidhur me sigurinë në Kosovë, tha se në vendet ku mungon sundimi i rendit dhe ligjit, krijohen parakushtet për bashkëjetesën e krimit dhe politikës.

Sipas tij, veriu i Kosovës, ku institucionet kanë autoritet të kufizuar, është vatër ku në çdo moment siguria e qytetarëve mund të vihet në pikëpyetje.

Ai tha se edhe rasti i Oliver Ivanoviqit duhet sa më shpejt të marrë epilog nga institucionet e autorizuara. Në të kundërtën, sipas tij, formacionet kriminale me motive të ndryshme do të inkurajohen që kurdo që duan ta sfidojnë rendin dhe ligjin.

Quni tha se në këtë kohë Kosova ka më shumë se kurrë nevojë për vigjilencë që ta parandalojë çdo eskalim të mundshëm.

“Në prag të përvjetorit të 10 të pavarësisë, Kosova ka nevojë më shumë se kurrë më parë për vigjilencë të lartë, që të mbrohet nga një destabilizim eventual”, tha ai.