Qytetarët lartësojnë kontributin dhe veprimtarinë e Adem Demaçit

28.07.2018 20:28:25

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, u përcoll për në banesën e tij të fundit me nderime të larta shtetërore, në prani të një numri të madh të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në “Varrezat e Dëshmorëve” në Prishtinë.

Disa qytetarë të cilët ishin të pranishëm në varrimin e bacës Adem, në një prononcim për Telegrafin thanë se ai nuk ka vdekur, pasi veprimtaria dhe ideologjitë e tij ende jetojnë në mesin e tyre.

Abedin Vitia nga fshati Marevc, i komunës së Prishtinës tha se veprimtarinë e tij do ta mbaj mend gjatë shoqëria jonë.

“Adem Demaçi nuk ka vdekë. Ka shoqëri e rini që e mbajnë në mend. Historia nuk e harron kurrë”, tha i moshuari 84 vjeçar, Abedin Vitia.

Edhe profesori i historisë Niman Rushiti, tha se Adem Demaçin për herë të parë e ka njohur përmes ideologjisë.

Profesori Rushiti ,e quajti bacën Adem , ‘Yllin Polar të shqiptarisë’.

“Me bacën Adem jam njohur qysh në vitin 1958, ku për herë të parë botohen në ‘Jetën e Re”, dy vazhdime “Gjarprinjët e gjakut’. Nga atëherë jam njohur me të përmes ideologjisë. Por nga viti 1964 njihem personalisht me të. Me bacën Adem kam qenë i pandashëm me ideologjinë e tij e cila kanë qenë ‘Për një shtet, një komb, një kufi dhe një flamur’. Baca Adem nuk ka vdekur, por ka ndërruar jetë. Ishte yll polar, mbeti yll polar dhe do të jetë ylli polar i joni i shqiptarisë”, u shpreh profesori Rushiti.

Edhe profesori nga Malisheva, Januz Mazreku tha se Adem Demaçi gjithmonë ka punuar për bashkimin e kombit shqiptarë.

Mazreku po ashtu tha se Demaçi  lindi dhe vdiq me faqe të bardhë.

“Që nga viti 1974 njihemi me idenë e tij. Në atë kohë kur Kosova ishte në propozim që të bëhet Republikë, por nuk u pranua dhe u tha se do të bëhet krahinë autonome socialiste. Baci ishte kundër dhe ra në burg. E  punën e tij e kemi përcjell vazhdimisht. Gjithmonë ishte person që punoi për bashkimin e kombit shqiptarë siç edhe kanë vepruar atdhetarët tjerë. Lindi dhe vdiq si Hasan Prishtina me faqe të bardhë”, potencoi ai.

Në ceremoninë e sotme ndërinstitucionale, e cila filloi në orët e mëngjesit në sheshin ‘Skenderbeu”, morën pjesë edhe shumë  përfaqësues të lartë të Kosovës dhe personalitete të larta nga vendi dhe rajoni ku lartësuan figurën dhe kontributin e Demaçit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, vlerësoi lartë veprën dhe jetë e Adem Demaçit, të cilin e quajti, Mandela i Evropës.

“Sot më 28 korrik populli shqiptar po ndahet fizikisht nga një kolos që u vetmohua gjithë jetën për komb. Bota po ndahet nga Mandela i Evropës”, tha Thaçi.

Edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në fjalën e tij tha se veprimtari Adem Demaçi është model i sakrificës për atdhe si dhe model i shembullit dhe përkushtimit për lirinë e popullit.

Jetën dhe veprimtarinë e bacës Adem, e vlerësoi lartë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili tha se kujtimi për Adem Demaçin do të jetojë përgjithmonë, “Ashtu siç do të jetojë përgjithmonë ajo të cilës ia kushtove gjithë jetën, liria e Kosovës”.

Edhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj tha se baca Adem  ishte patriot, ishte si të tjerët por i veçantë në veprën e tij, i brezit të vet, por i vetmi.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) nga Meqedonia, Ali Ahmeti, në ceremoninë komemorative për veprimtarin Adem Demaçi, tha se një jetë të tërë ia ka kushtuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa vajza e bacës Adem, Abetarja  gjatë fjalës së saj në ceremoninë komemorative tha se babai i saj, iu kishte lënë një mesazh.

“Babai im kishte një mesazh që më la, ai tregonte çdo herë se në mënyrë kolektive mund të luftohet e keqja, në këtë mënyrë asgjë ata s’mund t’i ndalte, por kështu si jeni nuk e njohin vetveten për një rrugë e për një qëllim. Babai i kombit sot u nda veç fizikisht fjalët dhe veprat e tij janë të përhershme”, tha vajza e Demaçit.

Ndryshe, nën përcjelljen e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të shumë qytetarëve, trupi i pajetë i Demaçit u soll në Velani.

Ai u varros pak metra larg varrit të ish Presidentit Ibrahim Rugova.

Demaçi ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare, të enjten, më 26 korrik, në shtëpinë e tij në Prishtinë.