Rahovec, familjarët e infermieres që ishte prekur me COVID-19 fillimisht dolën negativ- pas dy javësh dolën pozitivë

14.05.2020 12:17:56

Familjarët e një infermiere nga Rahoveci e cila punonte në Spitalin e Prizrenit e që ishte prekur nga nga COVID-19, para disa ditësh u testuan dhe rezultatet e tyre dolën negative, mirëpo në ri-testim edhe ata u konfirmuan se janë të prekur nga virusi.

Por, pozitivë në COVID-19 nuk doli babai i saj, për të cilin para disa ditësh IKSHPK tha se ai ishte prekur nga virusi.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Rahovecit, Saimir Mustafa.

“Herën e parë kur iu është bërë testimi kanë dalë negative, më 25 prill, babai i saj ka dalë pozitivë ndërsa familjarët kanë dalë negativ, kurse pas ri-testimit që e kanë bërë dje prindi ka dalë negative e tjerët pozitiv”, deklaroi ai.

Në Komunën e Rahovecit deri tani janë konfirmuar 28 raste me coronavirus, ndërsa gjithsej në Kosovë janë 927 raste, kurse numri i personave të shëruar ka arritur në 671.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të mbajnë distancën fizike dhe mbajtjen e maskave.

IKSHPK ka theksuar se virusi gjendet ende në mesin tonë, prandaj qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm.