Rama banket në Sheshin e Flamurit, do ther 50 viça, 40 cjapa, 70 desh, 180 qengja…’

27.07.2016 18:35:17

Ish-kryeministri Sali Berisha beson se vota unanime që reforma në drejtësi mori nga 140 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë më 22 korrik, i është imponuar mazhorancës e veçanërisht kryeministrit Rama nga Partia Demokratike.

Berisha thotë se Rama e bëri të hënën pushim për administratën vetëm që të tregonte se nuk e votoi reformën në drejtësi e për të fshehur sipas tij, dështimin që nuk mundi të kapte sistemin e drejtësisë. Por duke thënë se kjo tentativë i dështoi, pasi mediat e lidhën me ditëlindjen e Zaho Ramës, djalit të tij, Berisha shprehet se tashmë kryeministri ka organizuar një pritje tjetër.

 Në një status në rrjetin social Facebook, deputeti demokrat thotë se Rama ka urdhëruar deputetin e PS Fatmir Xhafaj, njëherësh kryetar të komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, që të organizojë një pritje në pallatin presidencial për miratimin e reformës në drejtësi.
“Thuhet se po dështoi edhe me këtë pritje për të bindur shqiptarët, Rama do shtrojë një banket në Sheshin e Flamurit duke therur 50 viça, 40 cjapa, 70 desh, 180 qengja si përpjekja e fundit për të kaluar traumën e rëndë psikike të 22 korrikut 2016”, shkruan Berisha në profilin e tij zyrtar në rrjetin social.