Rama dhe Veliaj kthejnë projektin e Fatos Nanos, impiant për djegien e plehrave

12.12.2016 22:50:03

E pati planifikuar, para se të humbiste karrigen kryeministrore në vitin 2005, kreu socialist Fatos Nano. Nuk ja arriti dot, përballë protestës së vendosur popullore, që fshiu edhe kryeministrin, bashke me projektin e tij.

Fjala është për ndërtimin e një qendre të mbledhjes së plehrave të Tiranës e qyteteve përreth, së bashku me importin e plehrave nga jashtë vendit, për të “ushqyer” një inçenerator, ose impiant djegieje, me anë të të cilit do të prodhohej edhe energji. Por, asaj që nuk ja arritën dot herën e parë, socialistët, këtë herë me Ramën në krye, ish-kryetar bashkie i kryeqytetit në atë kohë dhe dukshëm një nga ideatorët e projektit në fjalë, me hilen e zakonshme qeveritare të miratimit në heshtje, kanë miratuar një akt nënligjor, që i hap rrugën pikërisht realizimit të një impianti të tillë në kryeqytet, madje duke e “pasuruar” idenë e parë, në një mënyrë të tillë, që bie në sy menjëherë se kush do të pasurohet nga një gjë e tillë. Ja VKM e miratuar në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, ditën e mërkurë, më datë 7 dhjetor 2016, që u hodh me vonesë në faqen zyrtare të internetit të Kryeministrisë, pikërisht për të fshehur gjurmët.

V E N D I M PËR MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË PËR DHËNIEN ME KONCESION PËR NDËRTIM LANDFILLI E INCENERATORI DHE REHABILITIM TË VENDDEPOZITIMEVE EKZISTUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 25, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: 1. Miratimin e bonusit prej 8 (tetë) % të pikëve, që i jepet shoqërisë “Integrated Energy B.V.”, sh.p.k., për rezultatin teknik dhe financiar në procedurën përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese të Tiranës. 2. Ngarkohet Ministria e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Kryeministri Edi Rama

Fjala është ende për një projekt që nuk ka marrë ende miratimin përfundimtar. Në këtë mënyrë, Këshilli i Ministrave ka dhënë pëlqimin që, në garën për një projekt të tillë koncesionar, kompania e sipërpërmendur të ketë të drejtën që hyjë me më shumë pikë se të tjerat, duke qenë se ka qenë ajo, e cila ka paraqitur një studim të pakërkuar. Në Vendim përmendet shprehimisht ndërtimi i një inçeneratori, por, veç kësaj, kompania që do të fitojë tenderin, do të marrë edhe të drejta të tjera, siç janë ajo për ndërtimin e një landfilli të ri, madje edhe atë për të rehabilituar venddepozitimet ekzistuese të plehrave të Tiranës. Ku përfshihet edhe landfilli famëkeq i Sharrës, ku dihet mirë se si u përfshi “Lali Eri” i Tiranës në një skandal punësimesh në të zezë të adoleshentëve nga familje të varfëra, që u zbulua nga humbja tragjike e jetës së njerit prej tyre në punë e sipër. Duket se Rama dhe Veliaj janë të vendosur të ecin përpara, pavarësisht nga protestat popullore që ngre gjithnjë angazhimi në drejtim të trajtimit të plehrave me djegie, drejt realizimit të planeve të tyre për fitime marramendëse duke dëmtuar shëndetin e banorëve të kryeqytetit dhe rreth tij. Ky angazhim u duk edhe në rastin e këmbënguljes për të miratuar me çdo kusht ligjin për importin e mbetjeve nga vende të huaja, që u bllokua nga protestat, si dhe nga lëkundjet e Parlamentit, së fundi edhe nga një dekret presidencial që e ktheu sërish për rishqyrtim në Kuvend. Megjithatë, djegia e plehrave, që është një proces, për të cilin kanë shprehur dyshime të mëdha ekspertët e mjedisit, si dhe dikasteri përkatës, është një projekt, që nuk kufizohet vetëm në kryeqytet. Ligji që duhet të lejojë importin e plehrave po nxjerr në dritë të tjera fakte të dyshimta mbi arsyen se përse qeveria Rama e ktheu ligjin që kishte rrëzuar vetë me të ardhur në pushtet. Këto fakte kanë të bëjnë me tendera e koncesione për përpunimin e mbetjeve në Shqipëri dhe një interesim të kompanive italiane për përpunimin e tyre. Një kompani italiane ka fituar një tender publik për përpunimin e plehrave në landfillin e Manzës, në Durrës. Kompania Kinexia me seli në Milano e fitoi tenderin për përpunimin e 1.9 milion ton mbetjeve në bashkëpunim me kompaninë shqiptare “Albania Landfil Energy”. Në njoftimin zyrtar të saj thuhet se për projektin kërkohet një investim prej 20 milionë eurosh. “Volterio Energie S.p.A” që ka në pronësi kompaninë “Kinexia” do të veprojë si kontraktor kryesor. Kapaciteti i landfillit, prodhimi i energjisë elektrike nga biogazi dhe të ardhurat e tjera që vijnë nga përpunimi i mbetjeve, pritet të gjenerojnë afro 60 milionë euro të ardhura në një plan prej 30 vjetësh. Një impiant i ngjashëm do të ndërtohet në Fier, ku po has protesta të vendosura të popullsisë lokale. “Integrated Technology Services”, me administrator dhe ortak të vetëm Klodian Zoto e njohur si kompani IT-e bashkëpunon në këtë projekt me shoqërinë italiane “Energy 2SRL”. Dhënia e këtyre tenderave përkon me ligjin për importin e plehrave, për të cilin janë ngritur dyshime të forta se u miratua nga Rama për interesa financiare. Ambientalistë, opinionistë dhe qytetarë ngrenë me të drejtë pyetjen: Përse duhen importuar plehra nga jashtë kur 83 % e plehrave që gjeneron Shqipëria nuk arrijnë të riciklohen? Një dokument i qeverisë Rama tregon se qeveria është në dijeni se Shqipëri përpunohen vetëm 65.743.870 kilogramë mbetje ose 17% e totalit. Ndërsa pjesa tjetër, prej 302.984.780 kilogramësh mbetje nuk arrin të përpunohet. Por frika e ambientalistëve dhe një pjese të politikës, që është rreshtuar kundër ligjit, është se jo vetëm diegia e plehrave në Shqipëri do të shkaktojë ndotje vdekjeprurëse, por dhe se me mbetjet për riciklim do t’u hapet rrugë mijëra tonelatave të tjera të mbetjeve, kryesisht nga Italia. Disa media vendase e të huaja e kanë lidhur miratimin e këtij ligji edhe me 5 milionë tonë mbetje italiane që u refuzuan nga Maroku përmes protestash masive. Në Shqipëri kjo frikë dhe “tradhëtia” që Edi Rama u bëri qytetarëve me miratimin e ligjit që rrëzoi vetë sapo erdhi në pushtet në shtator 2013, ka shkaktuar një valë reagimesh popullore.

Projekti i Sheshit

Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin për fazën e dytë të punimeve në Sheshin “Skënderbej” në kryeqytet. Fondi limit i vënë në dispozicion nga ky institucion është rreth 9 milionë dollarë dhe afati për përfundimin e punimeve është 1 vit nga dita e lidhjes së kontratës. Me procedurat e ndjekura për projektin e rikualifikimit urban të sheshit “Skënderbej”, duket se ai do të vendoset në dispozicin të plotë të qytetarëve në vitin 2018. Fondi është vënë në dispozicion nga Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve si dhe buxheti i Bashkisë Tiranë dhe afati i fundit është data 27 dhjetor. Faza e parë ka nisur më 7 shtator, ku përfshihen punimet për kompletimin e sistemit të kanalizimit të ujrave të shiut, si dhe atë të shatërvaneve, dhe më pas do të vazhdohet me nënshtresat dhe shtresën përfundimtare të gurëve nga gjitha trevat shqiptare dhe afati është 12 muaj. Faza e parë pasohet nga ndërtimi i parkimit nëntokësor. Ndërsa zbatimi i fazës së dytë do të kompletojë projektin e Sheshit Skënderbej me punimet që do të kryhen në kopshtet përreth tij.