Rama do të ndërtojë një teater më të vjetër se ky?!

21.05.2020 09:21:36
Nga Fadil Sahiti
Nuk pëlqej të shkruaj për ngjarjet që në thelb kanë ndërzim politik, e ngjarja rreth përmbysjes së godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë duket të jetë një e tillë. Edhe pozita edhe opozita sikur duan të përfitojnë nga kjo ngjarje, për mua e rëndë, e cila edhe njëherë shpërfaq nivelin krejtësisht mafioz të politikës shqiptare.
E para që dua të them është se përmbysja e kësaj godine është turp për të gjithë juve atje, shqiptarë të dashur, në mënyrë të veçantë, turp për shtresën intelektuale. Ka ekzistuar një aprovim në heshtje nga shumica prej jush që kjo të ndodhë.
Të përmbysësh një godinë aq të vjetër në emër të ndërtimit të një të reje, tregon për përmbysjen e kujtesës suaj historike, e ç’është me e keqja, tregon për përmbysjen e ndërgjegjes suaj si njerëz të dijes. Ndërkaq, këta që dhanë urdhër për të ekzekutuar këtë vendim, për mua s’janë gjë tjetër veçse egërsira politike, për të mos thënë kriminelë ordinerë.
Përmbysja e djeshme më kujtoi një ngjarje që e kam dëgjuar para disa viteve në Dubrovnik, për kohën e sulmeve ushtarake të ushtrisë serbe kundër qytetit të vjetër, në Kroaci. Kur një gazetar anglez e kishte pyetur një zyrtar serb: a jeni të vetëdijshëm se çfarë po bëni, se jeni duke shkatërruar një pasuri kulturore të një populli, zyrtari serb i ishte përgjigjur në mënyrë cinike:
– Ne brinite, jer ćemo izgraditi bolji i stariji Dubrovnik!!
– Në shqip do përkthehej: mos u merakosni, sepse do të ndërtojmë një Dubrovnik më të mirë dhe më të vjetër se ky.
Në fund, mund të presim që kyeministri Rama dhe vartësit e tij të bëjnë ndonjë surprizë për shqiptarët. Mund të ndërtojnë një godinë teatri akoma më të vjetër se e vjetra, i ngjashëm me këtë në foto.
Apo nuk është edhe person i paparashikuar?!
Image may contain: sky and outdoor