Rama: Me opozitën s’i ndaj dot përgëzimet e Merkel, kanë ngritur një mur kundër vendit

29.11.2016 12:30:40

Kryeministri i vendit, Edi Rama në fjalën e mbajtur gjatë takimit të zhvilluar me veteranët me rastin e ditës së Çlirimit shprehu dëshirën të ndante me ta dhe me të gjithë shqiptarët përgëzimet e marra personalisht një ditë më parë nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila sipas tij vlerësoi hapur progresin e dukshëm të bërë nga vendi ynë vitet  fundit falë reformave të thella e të shumanshme të qeverisë.

“Dje kremtuam ditën e shënuar të Pavarësisë së Shqipërisë dhe unë pata rastin të jem në Gjermani me kancelaren gjermane, një mike e shtrenjtë e shqiptarëve. Ishte emocion që në praninë time të merrja drejtpërdrejtë përgëzimet  saj për arritjet e bëra nga vendi në vitet e fundit. Për fjalën e fundit duhet të persin mesin e dhjetorit, por sot jam i sigurt se Gjermania do të jetë plotësisht në krahun tonë. Merkel u shpreh dje publikisht duke thënë se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm vitet e fundit falë reformave të cilat duhet të vazhdojnë më tej.

Duke e njohur mirë kancelaren tashmë, më lejoni që përgëzimet që më adresoi t’i ndajë me të gjithë ju; me Ilir Metën, pa të cilin reformat tona të thella e të vështira nuk do të ishin të mundura; por edhe me partnerin tjetër falë të cilin arritëm të votonim reformën në drejtësi dhe në fund me qytetarët shqiptarë, pa asnjë ndryshim që janë burim i çmuar në kryerjen e kësaj detyre të lartë.

Do të doja t’i ndaja edhe me opozitën përgëzimet e Merkel, por nuk mundem se nuk mund të bëj sikur nuk e shoh atë që bën opozita çdo të enjte apo në tribuna, por e kam të pamundur të bëj sikur nuk e shoh atë që PD po bën për ta rrënuar imazhin  e Shqipërisë në sytë e partnerëve duke mos lënë shpifje për bindur Brukselin që ky vend është Kolumbi, që qeveria është kartelë droge, dhe mbi të gjitha s’i ndaj dot përgëzimet me PD se tanimë është e qartë se jo Brukseli, por opozita jonë i ka ngritur një mur që pengon negociata, me bllokimin e vettingut. Zbatimi i reformës në drejtësi fillon me zbatimin e vettingut. Ndaj dua t’ju bëj thirrje të gjithë anëtarëve të PD që të ushtrojnë presion mbi lidershipin dhe ata deputetë të PD që ta heqin murin duke plotësuar kushtin e vetëm për çeljen e negociatave,  vettingun”, tha Rama.