Rama në Top Story: Nuk kam shkarkuar asnjë ministër

13.03.2017 21:34:13

Një ditë pasi deklaroi ndryshimet në Qeveri, Kryeministri Edi Rama vjen në një intervistë të drejtpërdrejtë në Top Story për të shpjeguar përse “dorëzoi” Saimir Tahirin. A tha ai të vërtetën për largimin nga kabineti të ministrit që e mbrojti aq shumë për më shumë se tre vjet?

Cili do jetë fati i zgjedhjeve tani që opozita nuk tërhiqet dhe a do ketë tërheqje të tjera të Qeverisë? A është përfundimisht Ilir Meta në “karrocën” e të majtës apo thjesht po realizon operacionin e tij të fundit për shpëtimin e të djathtës?

Sokol Balla: Lajmi kryesor është ndryshimet në qeveri. Nëse pyet opozitën thotë ditët e fundit të republikës së vjetër, nëse pyet një mbështetës të LSI-së, thotë se janë ditët e fundit të Edi Ramës, nëse pyet një socialist, do të thonë se nuk e dine se çfarë po ndodh. Qeveria u është nënshtruar disa ndryshimeve të thella. Cilat janë arsyet e vërteta pas këtyre lëvizjeve.

Edi Rama: Meqenëse përmende mbështetësit e PS, ju siguroj se ata e kanë të qartë që ne jemi me sytë nga 18 qershori dhe jo nga 18 shkurti.

Sokol Balla: Kjo është për t’u diskutuar.

Edi Rama: Ju mund të diskutoni gjërat tjera, po për mbështetësit e PS jam unë burim i sigurt. Unë doja të informoj se mbështetësit e PS e kanë shumë të qartë atë që po ndodh.

Sokol Balla: Si shpjegohet që larguat kampionin e ministrave, Saimir Tahirin?

Edi Rama: Një fakt që jam shumë krenar, ku në mjedisin opinionet i bëjnë burra që u duket vetja shumë të zgjuar, nuk është një fakt që ka rënë në sy, faktin që sot kemi një qeveri që ka 50 përqind burra dhe 50 përqind gra. Unë besoj që ky është një fakt që nuk meriton të lihet në harresë, por meqënëse në mjedisin tonë publik, aty ku bëhen thashetheme e konspiracione, nuk ka shans që një fakt i tillë të vlerësohet. Sot gratë shqiptare janë të përfaqësuara baraz me burrat.

Sokol Balla: Ju shkarkuar Tahirin se nuk ishte grua?

Edi Rama: Nuk thashë këtë. Unë dua të përmend me krenari këtë fakt.

Sokol Balla: Përse e larguat Saimir Tahirin?

Edi Rama: Unë nuk e kam shkarkuar Saimir Tahirin, nuk kam shkarkuar asnjërin prej ministrave. Jemi sot në një moment kyç. 18 qershori nuk vendos vetëm kush fiton zgjedhjet, por edhe si do të jetë Shqipëria pas 10 vitesh.

Sokol Balla: Shqiptarët votojnë për katër vitet e ardhshme jo për 10 vitet e ardhshme, tani më thoni përse u largua Saimir Tahiri nga Qeveria?

Edi Rama: Refuzoj që të qëndroj këtu nëse nuk më lejoni të vazhdoj të jap përgjigjen. Nuk e cakton ti është apo jo kushtetuese dhe gjithë kjo ndërprerje ishte e pavend. 18 qershori përcakton sesi do të jetë Shqipëria pas 10 viteve, ashtu sikundër zgjedhje të caktuara kanë përcaktuar Shqipërinë që ne trashëguam, ashtu zgjedhjet përcaktojnë Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Janë zgjedhje që vendosin nëse ky vend do të bëhet shtet, ku gjykatësit dhe prokurorët japin drejtësi dhe nuk e tregtojnë, nëse do të jetë vendi ku fëmijët tanë do të kenë një të ardhme më të mirë.