Rama premton rritje pagash për mësuesit: Do bëhet shumë shpejt, besoj me…

07.09.2020 11:59:38

Pas mjekëve dhe infermierëve, kryeministri Edi Rama premton rritje pagash edhe për mësuesit në mbarë vendin.

Rama tha se do të ketë një rritje të re pagash për mësuesit shumë shpejt, me buxhetin e ri.

“Do të bëjmë një rritje të re pagash edhe për mësuesit, ashtu si për mjekët, dhe kjo do të bëhet shumë shpejt, besoj me buxhetin e ri. Kjo besoj se është shumë e merituar, dhe ne duhet të bëjmë më shumë se sa për tërësinë”, tha Rama.

Më tej, kryeministri tha se është garantuar që mësuesit të hiqen nga puna siç fryn era, apo të ndryshohen nga një zonë në tjetrën, sipas ryshfetit apo njohjeve politike.

“Kemi garantuar se mësuesit nuk hiqen siç fryn era, nuk hidhen nga një shkollë në një zonë, në një zonë tjetër, sipas ryshfeteve apo njohjeve politike. Tani rekrutimi i mësuesve bëhet mbi baza, sipas portalit. Po mbyllim një plagë shumë të madhe, atë të politizimit ekstrem të kuadrit të mësimdhënies. Duhen frenuar pasojat e kësaj, që binin mbi gra, nëna e baballarë, që pa kuptuar e gjenin veten të hedhur nga vendi i punës”, u shpreh ai.

Në një bashkëbisedim me një grup mësuesish, të cilët në këtë kohë pandemie po e ushtrojnë profesionin e tyre online si dhe në televizion, kryeministri Edi Rama deklaroi ndër të tjera se hapja e shkollave pritet të sjellë rritje të konsiderueshme të mundësisë së transmetimit të Covid-19, teksa shpjegoi nga ana tjetër përse opsioni i mbylljes së shkollave ishte opsion më i keq.

“E dimë mirë që me hapjen e shkollave rritet në mënyrë të konsiderueshme mundësia e transmetimit dhe është një sfidë më vete. Por duke vlerësuar këtë vendim dhe duke parë edhe çfarë kanë bërë të tjerët opsioni i mbylljes së shkollave ishte opsion më i keq dhe patjetër që do të shkaktonte një kosto tjetër, sidomos psikologjike për fëmijët me pasoja që ne nuk i llogarisim dot deri në fund, por që të gjitha vendet i kanë marrë në konsideratë dhe i kanë cilësuar si të papranueshme në raport me rrezikun që ka në vetvete hapja e shkollave”, tha Rama.