Rama publikon fotot e transformimit të sheshit “Skënderbej”: Mozaik spektakolar i gurëve

25.02.2017 13:30:35

Sheshi i ri “Skënderbej” po merr formën e tij të plotë. Gurët dhe pemët nga të gjitha trevat dhe zonat shqipfolëse i japin atij jo vetëm simbolikën e sheshit që përfaqëson gjithë shqiptarët por edhe një pamje tepër të veçantë.

Është kryeministri Edi Rama ai që ka postuar disa foto nga lart të këtij sheshi ku dallohet qartë pamja që po merr sheshi por edhe lulishtet përreth tij që do të jenë të populluar me bimësi të ndryshme nga rajone të ndryshme shqiptare.

“Rilindja urbane në Tiranë – Mozaiku spektakolar i gurëve nga gjithë trevat shqiptare dhe kopshti orbital përreth sheshit “Skënderbej” me pemë e bimësi nga gjithë zonat shqiptare, do t’u japin qytetarëve të Tiranës një hapësirë publike fantastike për të gjitha moshat dhe vizitorëve një pamje shembullore të kryeqytetit europian të Shqipërisë”, shkruan Rama në Facebook duke vlerësuar kështu punën e Bashkisë së Tiranës.

Një ditë më parë ai do ta merrte Bashkinë e Tiranës edhe si një shembull që duhej ndjekur edhe nga bashkitë e tjera sa i përket punës që po zhvillon për zhvillimin e qytetit.