Rama-Tahiri nxitojnë të eksportojnë kanabisin, por dje patën 20 ton humbje

06.10.2016 11:48:57

Nuk ka shumë kohë e duket se alarmi për korrjen e mbarë të trafikantëve ka mbërritur tek kancelaritë kryesore perëndimore, prandaj çifti Rama-Tahiri po nxiton të mbyllë sezonin e eksportit të kanabisit, para se ndërkombëtarët ta vendosin qeverinë shqiptare në karantinë. Vetëm dje, karteli i trafikut pati 20 tonë humbje, në Mat, Vlorë e Leçe, por investigimi mësohet se po kryhet larg syve të drejtuesve të policisë, të cilët konsiderohen si dora e zgjatur e trafikantëve

Fakti/ Pas 10 tonëve drogë të kapur në Vlorë qëndrojnë njerëzit e afërt të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri

Shqetësues dhe alarmant ishte padyshim ai aksion i urdhëruar nga prokuroria në Vlorë, që u pasua disa orë më pas nga një asgjësim në kohë “rrufe” i dhjetë mijë bimëve kanabis në Mat, por ajo që është edhe më shqetësuese nga aksioni i befasishëm i ditës së djeshme, lidhet me raportimet mediatike që tregojnë se instancat e Policisë së Vlorës kanë hezituar që të angazhojnë strukturat e tyre në operacionin ku u sekuestruan plot 10 tonë kanabis. Sipas portalit lapsi.al, pas informacioneve që u ka vënë përpara Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Shërbimi Informativ Shtetëror ata kanë kërkuar që të përdoren Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, sepse emrat e tre prej personave për të cilët kërkohej arrestimi, ishin të njohur dhe njerëz të fuqishëm. Pra sasitë marramendëse të kanabisit të asgjësuar në Vlorë dhe Mat duket se e nxorën tërësisht zbuluar Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri përballë shqiptarëve, të cilët ai u përpoq kaq kohë ti mashtronte me fabulën se droga nuk është pjesë e realitetit shqiptar dhe se është një hipotezë e opozitës dhe mediave për të baltosur punën e policisë. Pas këtyre rasteve nuk mund ta fsheh më ministri faktin se drejtuesit e policisë në të gjithë vendin ecin në hapat e trafikantëve, por jo për ti arrestuar ata, por për ti mbështetur në kultivimin e kanabisit e për ti ruajtur me mirëbesim hektarët e gjelbëruara nga bima fitimprurëse. Ndoshta kjo është edhe arsyeja se përse Tahiri në ceremoninë ku prezantoi makinat elektrike na u shfaq i nervozuar dhe mbajti një ton kërcënues ndaj medias, opozitës dhe prokurorisë duke i grupuar në rrethin e atyre që i duan të keqen këtij vendi. Por a nuk ka sy të shoh e vesh të dëgjoj Tahiri, që droga ka pushtuar vendin dhe se të besuarit e tij në polici po bëhen palë me kartelin e drogës për të siguruar përfitime marramendëse nga ta? Faktet tronditëse mbi strukturën e mirë organizuar të narkotikëve në vend i tregon edhe lajmi mbi një raport sekret të hartuar në bazë të të dhënave të mbledhura në terren nga agjentë të SHISH nëpërmjet përgjimeve dhe metodave të tjera të specializuara, i cili ka pushtuar mediat dhe ka hedhur dyshime të forta mbi punën e policisë së shtetit, e cila prej kohësh është vendosur nën akuza nga opozita si e implikuar në biznesin e drogës. Ndërkohë që informacione të detajuara nga raporti në fjalë janë bërë tashmë publike dhe implikojnë krerë të policisë në kultivimin e kanabisit, ministri Tahiri, e ka mohuar ekzistencën e tij. Besohet se përveç fshatrave të cilat janë kthyer në oaze strehimi të kultivuesve, në këtë raport ka edhe emra drejtuesit të policisë në rrethe dhe në qendër, por edhe prova e koordinata të sakta të sipërfaqeve të mbjella. Bërja publike e këtij raporti duket se e frikëson Tahirin po aq sa u nervozua ai sot nga lajmet se tonelata me kanabis nga Mati në Vlorë po  sekuestroheshin nga aksionet e njëpasnjëshme të Prokurorisë së Përgjithshme. Ministri duket se jeton në një realitet ndryshe nga ky i joni, ku droga është bërë fenomen dhe ku faktet e tregojnë se një dorë e fuqishme e mbështet këtë biznes, që ka lulëzuar në vend. Tahiri e sheh si të papranueshëm faktin se përgjegjësi kryesor për situatën alarmante ku vendi ka përfunduar është ai dhe krerët e policisë që ai i ka emëruar me besimin se do të ruanin rendin dhe jo drogën e kontrabandistëve. Për këtë arsye ministri i Brendshëm duket se po investohet personalisht në një luftë të “ftohtë’ midis policisë dhe mediave, opozitës e madje dhe prokurorisë, sepse kjo e fundit me aksionet e saja, të ndërmarrë pas raportit të SHISH po godet në mënyrë të njëpasnjëshme parcela nga më të mëdhajat në vend për sa i përket kultivimit të kanabisit. Ajo çka është edhe më shqetësuese lidhet me papërgjegjshmërinë që Ministri i Brendshëm shfaq ndaj kësaj situate të  rënduar të krijuar me rendin në vendin tonë. Ai dhe shefi i tij kryeministër e mohojnë çdo ditë gjendjen e rëndë që po kalon vendi duke bërë propagandë mbi një sukses inekzistent të policisë, e madje duke fshehur nga syri i publikut dhe raportet e shërbimeve sekrete, të cilat përmbajnë të vërteta tronditëse mbi narkotrafikun.

                       Kronika: Kapen 10 tonë drogë në Vlorë të destinuara për tregun italian, 6 të arrestuar/ Një aksion i Policisë së Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë dhe FNSH Fier, ka bërë të mundur kapjen e rreth 10 tonëve drogë në zonën midis fshatrave Vezhdanisht dhe Treblovë të Vlorës. Policia ka bërë të mundur zbulimin dhe më pas asgjësimin e 2000 bimëve narkotike në proces tharjeje si dhe rreth 5250 bimëve narkotike Cannabis Sattiva, të mbjella në lugina dhe zona të thella rreth 2 orë larg qendrave të banuara. Sasia e drogës e cila ishte në proces tharjeje është gjetur brenda 6 kasolleve të improvizuara nga kultivuesit. Policia me urdhër të prokurorisë ka vënë në pranga 6 persona, pasi dyshohet se ata janë pronarët sasisë prej 10 tonësh kanabis, që u kap në Vlorë dhe që ishte e destinuar për tregun italian të narkotikëve. Arrestimi në flagrancë i 6 shtetasve  është bërë për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”. Në pamjet e transmetuara nga TV Klan duket qartë që të akuzuarit për 10 tonët e kanabisit të gjetur në fshatrat e Vlorës janë arrestuar në një kafene, ku forcat e FNSH-së të mbërritura posaçërisht nga Fieri, kanë ndërhyrë duke ekzekutuar urdhrat e arrestit të lëshuara nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Ndërkohë që edhe një oficer i policisë së Vlorës është shpallur në kërkim si pjesë e grupit të narkotrafikut të goditur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në  qytetin bregdetar. Policia ka asgjësuar në vend lëndën narkotike nëpërmjet shkuljes, copëtimit dhe djegies me zjarr, ndërsa mësohet se po punohet për zbulimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Pas Vlorës, 10.500 rrënjë kanabis asgjësohen në Mat/ Pas sasisë marramendëse të drogës që u sekuestrua në Vlorë, ishte radha e Matit për të regjistruar një tjetër shifër rekord prej 10.500 bimësh kanabis të asgjësuara. Autoritetet kanë zbuluar dhe asgjësuar sasinë e madhe të kanabisit në fshatin Pujk. 10.500 bimë narkotike kanabis sativa u zbuluan pas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në bashkëpunim me forcat e policisë. Sipas raportimeve është mësuar se asnjë person nuk rezulton të jetë i arrestuar, ndërsa nga policia vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Kapet gomonia me 734 kg marijuanë në Leçe, arrestohen 3 shqiptarë/ Një gomone oqeanike që mbante në bord tre shqiptarë dhe një peshë prej 734 kg marihuanë është kapur dje në Leçe të Italisë. Sipas mediave italiane gomonia është ndaluar  nga një patrullë e policisë financiare teksa përpiqej të arrinte brigjet e Salentos në veri të Otrantos. Operacioni i autoriteteve u zhvillua në ngushticën e Otrantos pasi gomoia ishte pikasur nga një helikopter që patrullonte aty. Tre kontrabandistët shqiptarë janë arrestuar me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të drogës, ndërsa gomonia është dërguar në portin e Otrantos. Operacioni u krye bashkarisht nga Policia shqiptare dhe ajo italiane, Guardia di Finanza, Nufrom dhe Interforce.Gomonia ishte e përmasave aq të mëdha sa ishte në gjendje të mbante tre trafikantët dhe peshën prej 734 kg marihuanë.