Ramush Haradinaj liron nga detyra zëvendësministrin e dënuar për korrupsion

05.06.2019 11:37:41

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj e ka liruar nga detyra zëvendësministrin e Administratës Publike, Bujar Nerjovaj.

Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, teksa e ka falënderuar Nerjovajn për kontributin e dhënë.

“Sot kam liruar nga detyra Zv/ Ministrin e Administratës Publike Z. Bujar Nerjovaj. Lirimi bëhet me kërkesë të tij me qëllim të vazhdimit të procesit gjyqësor.
E falënderoj Zv/ Ministrin Nerjovaj për punën dhe kontributin në Ministrinë e Administratës Publike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Nerjovaj, që kishte shërbyer si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga Gjykata Themelore në Prizren.

Atëherë u njoftua se dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.