Rastet e reja me COVID-19 në Obiliq, Gashi apelon qytetarët për respektimin e masave

07.06.2020 18:43:15

Gjatë ditës së sotme, sipas njoftimeve të IKSHPK-së në Komunën e Obiliqit, kanë rezultuar pesë raste të reja pozitiv me Covid-19, në fshatin Milloshevë.

Kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi ka bërë të ditur se rastet në fjalë janë raste kontakti, familjarë të të infektuarit, katër ditë më parë, të cilët janë në vetizolim.

“Sipas njoftimeve të IKSHPK-së, në Obiliq kemi pesë raste të reja pozitiv me Covid-19 në fshatin Milloshevë, rastet në fjalë janë raste kontakti, familjarë të të infektuarit, katër ditë më parë, të cilët janë në vetizolim. Ekipet e QKMF-së po qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me personat e infektuar dhe në të njëjtën kohë po krijohet lista e kontaktit nga ana e tyre, me persona të tjerë”, ka thënë Gashi.

Ai ka theksuar se rreziku ndaj këtij virusi nuk ka kaluar ende, andaj iu ka bërë thirrje qytetarëve të Obiliqit që të respektojnë me përpikëri rekomandimet e IKSHPK-së dhe se bartja e maskave dhe dorëzave të jetë pjesë e rutinës së përditshme.

“Bashkëqytetarë të nderuar, lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm, por rreziku ndaj këtij virusi nuk ka kaluar ende, andaj ju lutem secilit prej jush që të respektoni me përpikëri rekomandimet e IKSHPK-së, bartja e maskave dhe dorëzave të jetë pjesë e rutinës tonë të përditshme. Ne jemi bashkë në çdo sfidë, të vazhdojmë së bashku të përgjegjshëm përballë këtij armiku të padukshëm! Respekto masat! Kujdesu për veten, familjen dhe qytetin tonë”, ka shkruar ai në Facebook.