Reagim i degës së LDK-së në Istog: Ne matemi me projekte e jo me shpifje!

12.10.2017 16:06:19

 

Zyra për Informim e degës së LDK-së në Istog ka reaguar ndaj shpifjeve që kandidatët për kryetar të kësaj komune, z. Gani Dreshaj dhe z. Arif Elshani në emisionin”Tribuna zgjedhore” të televizionit “Tribuna Channel”, si dhe ndaj vetë moderatorit të këtij emisioni, z. Munduh Abazi përmospjesmarrjen e kryetarit Haki Rugova.

Në reagim thuhet se kandidatët Dreshaj dhe Elshani synojnë minimin e sukseseve të arritura si dhe cenimin e vlerave morale të kryetarit Rugova. Sipas Zyrës për Informim të degës së LDK-së në Istog, të gjitha këto shpifje bëhen për shkak se kandidatët në fjalë nuk kanë program dhe projekte konkrete, kurse kryetari Rugova dhe LDK në Istog ka punuar dhe punon me projekte konkrete për mirëqenien e qytetarëve.
Kurse lidhur me mospjesëmarrjen e kryetarit Rugova në emisionin “Tribuna zgjedhore”, Zyra për Infromim e degës së LDK-së informon se kjo ka ndodhur për shkak të axhendës së paracaktuar për çka është informuar me kohë edhe stafi i televizionit në fjalë.
Ky është Reagimi i plotë i Zyrës për Informim i degës së LDK-së në Istog:
Deklaratat e disa kandidatëve për Kryetar të Komunës së Istogut të bëra gjatë debateve zgjedhore në media publike dhe private e posaçërisht në emisionin “Tribuna Zgjedhore” të televizionit “Tribuna Channel”, kundër kryetarit të Komunës së Istogut, z. Haki Rugova i cili rikandidon edhe për një mandat në krye të kësaj komune, janë shpifje dhe deklarata të pabaza të cilat kanë për qëllim mohimin dhe minimin e sukseseve të arritura si dhe cënimin e vlerave morale të Kryetarit Rugova,të cilat janë të dëshmuara dhe të vlerësuara nga qytetarët e Komunës së Istogut. Mungesa e programeve konkrete për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të Komunës së Istogut, nga ana e z.Gani Dreshaj dhe z. Arif Elshani, po i shtynë këta kandidatë që të shërbehen me gjuhën e shpifjes, thashethemeve, linçimeve dhe të të pavërtetave ndaj qeverisjes së suksesshme të kryetarit Rugova dhe bashkëpunëtorëve te tij. Dega në Istog e Lidhjes Demokratike të Kosovës i fton kundërkandidatët e z. Haki Rugova, pra, z. Gani Dreshaj dhe z. Arif Elshani, që të heqin dorë nga shpifjet dhe akuzat e pabaza dhe të ballafaqohen me ofertat konkrete për mirëqenien e qytetarëve, ndonëse për shpifjet e tyre të deritashme ndaj Kryetarit Rugova dhe familjes se tij do të ballafaqohen me organet e drejtësisë. Kryetari Rugova i fton oponentët e tij politikë që të jenë korrekt në debatet politike, më të matur në diskursin e tyre publik dhe mos ta shfrytëzojnë mospraninë e tij në ndonjë debat për të shpifur e akuzuar pa bazë, sic kanë bërë deri më tash, dhe për të cilat gjëra të dy kundërkandidatët do të denoncohen në organet e shtetit. Njëkohësisht, Dega në Istog e LDK-së, shprehë shqetësim për paragjykimet e moderatorit të emisionit “Tribuna Zgjedhore”, z. Menduh Abazi për mospraninë e kryetarit Rugova në debat. Sqarojmë opinionin publik, në veçanti, qytetarët e Komunës së Istogut se Kryetari Rugova, në kohë e kishte njoftuar stafin e emisionin “Tribuna Channel”, për mos pjesëmarrjen në emision, për shkak të agjendës së paracaktuar kohë më parë për tubim në fshatin Gurakoc. Kryetari Rugova, asnjëherë nuk i frikësohet ballafaqimit me kundërkandidatët, ashtu siç e ka paragjykuar pa të drejtë moderatori në fillim të emisionit. Dega në Istog e LDK-së i bën thirrje Prokurorisë që të jenë në nivelin e detyrës dhe t’i trajtojnë sipas ligjit të gjitha deklaratat e kandidatëve në debatet publike. I bëjmë thirrje anëtarësisë dhe gjithë qytetarëve që të mos bien pre e këtyre lajmeve dhe deklaratave te rrejshme, sepse askush më mirë se istogasit nuk i njeh kandidatët për kryetar të kësaj komune. LDK ka Platformën për Qeverisjen Lokale, program të qartë për përmirësimin e jetës së banorëve të Istogut dhe me përkushtim do të punojë çdo ditë për jetësimin e këtij programi në të mirë të të gjithë banorëve të komunës.
Zyra për Informim e Degës së LDK-së në Istog