Reagon LDK: Nuk kemi pasur mbledhje të partisë

19.07.2017 15:48:27

Lidhja Demokratike e Kosovës e mohojnë se gjatë ditës së sotme subjekti i tyre është mbledhur për të diskutuar rreth skenës politike në vend.

LDK përmes një komunikate për medie ka bërë të ditur se LDK, gjatë ditës së sotme, nuk ka pasur asnjë takim as me dyer të mbyllura as me dyer të hapura, as në orët paradites e as në orët e pasdites, dhe Kryetari Mustafa nuk e ka mbledhur as Kryesinë dhe asnjë organ tjetër të partisë.

“Janë plotësisht të pavërteta dhe komike “qëndrimet” që gjoja kryetari Mustafa ia paska bërë të ditur anëtarëve të Kryesisë, gjatë një takimi që kurrë nuk është mbajtur, si dhe pjesa tjetër e aludimeve të ulëta të publikuara në këtë tekst që nuk ka asgjë të vërtetë. Kryetari i LDK-së, njëkohësisht Kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Musafa, sot, gjatë tërë ditës, ka qenë në zyrën e tij në Qeveri, duke kryer detyrat dhe obligimet e tij kushtetuese shtetërore. I bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos bien pre e informatave të tilla të pavërteta që po publikohen në vazhdimësi në këtë portal dhe në disa portale të ngjashme, të cilat janë në shërbim të plotë të agjendave të një grupacioni politik”, thuhet në njoftim.

 

Tutje LDK, duke shprehur konsideratat më të larta, fton Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), që në rast se sheh të dobishme për opinionin publik dhe zhvillimin e mediave në Kosovë, të konfirmoj vërtetësinë e kësaj informate duke i pasur plotësisht në dispozicion zyrtarët e LDK-së për të vërtetuar çdo detaj të publikuar në këtë artikull të rremë.