Reagon Trusti, përgënjeshtron ish guvernatorin Hashim Rexhepi

12.10.2016 18:04:53

Fondi i Kursimeve Pensionale ka reaguar përmes një komunikate për media në lidhje me deklaratat e ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi.
Në reagimin e Trsutit thuhet se Bordi Drejtues i Trustit, duke pasur parasysh alokimin shumë të madh të mjeteve, dhe kamatat e ulëta që ofroheshin nga mbajtja e mjeteve të painvestuara në BQK, në bazë të kompetencave të veta ligjore, kishte vendosur që një pjesë të këtyre mjeteve të plasohen në Fortis Global Liquidity Funds. Arsyeja e këtij investimi qëndron se kthimi në investim nga ky fond ishte katër herë më i madh në krahasim me atë që ishte në BQK. Njëherësh rejtingu i Fortisit (BNP Paribas) vazhdonte të ishte AAA (më i larti i mundshëm).

Në reagim thuhet se vetëm bordi ka pasur të drejtën e investimeve, duke mohuar se kanë qenë persona ata që kanë ndikuar në investimet e Trustit.

Ky është reagimi i plotë i Fondit të Kursimeve Pensionale:

Në lidhje me ripublikimin dhe citimin e FKPK-së në artikullin e sotëm në disa portale sqarojmë si në vijim:

– Investimi i parë në fondin e ABN AMRO (më vonë Fortis) ka ndodhur në mars 2003 dhe vlera e investimit ka qenë rreth 33 milionë euro dhe me investime të vazhdueshme pas kësaj. Që i bie që ky aset menaxher është përzgjedhur 7 vjet më herët sesa pretendohet nga ish-Guvernatori Rexhepi. Ish-Guvernatori po ashtu, për habinë më të madhe, nuk jep asnjë periudhë (qoftë edhe vit) për takimet, vendimet apo “dyshimet” që ka!

– Ky fond (fillimisht ABN AMRO, më pas Fortis e që nga 2008 BNP Paribas) gjatë gjithë historikut të investimeve të FKPK-së ka qenë me rejting AAA (më të lartin të mundshmin) dhe me kthim pozitiv, duke përfshirë edhe kohën e krizës financiare (2008). Fondi “Fortis Global LiquidityFunds” është fond i ndarë nga Fortis bank dhe si i tillë është në pronësi të investitorëve e jo bankës, dhe në tetor të vitit 2009 kishte nën menaxhim rreth 1.7 miliardë euro mjete dhe janë gjithmonë pronë e investitorëve. Kjo edhe dëshmon faktin se fondi investues nuk ka qenë në krizë dhe për shkak të stabilitetit ka vazhduar të mbajë rejtingun AAA. Po e ritheksojmë së Fondi Fortis që nga viti 2008 ishte pjesë e BNP Paribas dhe jo sikurse aludohet në artikull së kinse ndryshimi kishte ndodhur pas apo gjatë investimit të FKPK-së. Më saktë në prill 2008, BNP Paribas Investment Partners dhe Fortis Investments integrohen në një entitet. Entiteti i kombinuar është BNP Paribas Investment Partners. Si rezultat i integrimit, BNPP IP u bë menaxheri i pestë më i madh i pasurisë në Evropë dhe i njëmbëdhjeti më i madhi në botë, me 530 miliardë euro asete nën menaxhimin. Po ashtu po e theksojmë se bashkimet, blerjet por edhe ndarjet e fondeve/ kompanive multinacionale janë procese normale në ekonominë e tregut dhe janë të rregulluara në mënyrë shumë rigoroze me legjislacionet nacionale edhe ndërkombëtare.

– Fondi në fjalë për FKPK-në ka pasur kthim pozitiv kumulativ në investime bruto prej 5.3 milionë euro, duke përfshirë edhe periudhën e krizës financiare 2007-2009. Pra çdo aludim tjetër është i pa argumentuar, tendencioz dhe nuk e pasqyron gjendjen reale.

– Arsyeja përse ka pasur dallim të madh të investimeve në këtë fond në 2009 dhe 2010 qëndron në faktin se FKPK-ja nuk ka pasur Bord prej shtatorit 2008 e deri në prill 2009, dhe gjatë gjithë kohës FKPK-ja nuk ka mundur të bëjë asnjë investim, dhe si rrjedhim mjetet e kontributeve të reja janë akumuluar në BQK.

– Bordi Drejtues i sapoemëruar, duke pasur parasysh alokimin shumë të madh të mjeteve, dhe kamatat e ulëta që ofroheshin nga mbajtja e mjeteve të painvestuara në BQK, në bazë të kompetencave të veta ligjore, kishte vendosur që një pjesë të këtyre mjeteve të plasohen në Fortis Global Liquidity Funds. Arsyeja e këtij investimi qëndron se kthimi në investim nga ky fond ishte katër herë më i madh në krahasim me atë që ishte në BQK. Njëherësh rejtingu i Fortisit (BNP Paribas) vazhdonte të ishte AAA (më i larti i mundshëm).

Bordi Drejtues, pas marrjes së këtij vendimi, në janar 2010, të nesërmen, por edhe pas të gjitha mbledhjeve të tjera, ka takuar ish-Guvernatorin e BQK-së dhe stafin e tij, dhe të njëjtit i ka informuar për të gjitha vendimet e Bordit Drejtues. Z. Rexhepi, por as stafi i tij që mbikëqyrë FKPK-në drejtpërdrejt, asnjëherë nuk e kanë ngritur asnjë shqetësim apo mëdyshje në lidhje me vendimet e Bordit, përfshirë edhe investimin në fjalë. FKPK-ja kurrë nuk ka marrë asnjë letër ose shkresë nga BQK-ja që ndërlidhet me vendimin për këtë investim.

– Dyshimi i ngritur në artikull se investimi në fondin e Fortis (BNP Paribas) nuk është në përputhje me ligjin është joprofesional dhe tejet qëllimkeq. Fakti që fondi i lartpërmendur ka pasur rejting maksimal AAA dhe kthim më të madh në investim i plotëson të gjitha kërkesat ligjore. Ndërsa parimet ligjore të përmendura duhet të zbatohen sa i përket mjeteve të FKPK-së në tërësi dhe ketë gjë FKPK e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë gjithnjë në mënyrën me të mirë.

– FKPK që nga themelimi ka përzgjedhur dhe larguar aset-menaxherë në varësi të strategjisë së investimeve dhe performancës së treguar nga ta. Në përgjithësi, strategjia investuese dhe përzgjedhja e aset-menaxherëve ka rezultuar tejet pozitive. Që nga themelimi FKPK-ja ka realizuar kthim pozitiv në investime në vlerë prej mbi 300 milionë euro, dhe gjithashtu ka rikuperuar qysh më 2011 edhe rënien që kishte shkaktuar kriza globale financiare e vitit 2008.

– FKPK shpreh shqetësimin për tendencën që të dëmtohet imazhi i këtij institucioni si dhe shkaktohet huti dhe pasiguri tek qytetarët nga i ish-Guvernatori i cili ka pasur përgjegjësi ligjore ta mbikëqyrë FKPK-në. FKPK-ja vlerëson së përfshirja e këtij institucioni në problemet dhe mosmarrëveshjet personale është jo korrekte dhe jo profesionale. FKPK-ja, e rithekson, se që nga themelimi dhe deri me tani ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë përgjegjësinë e vet në përputhje me legjislacionin në fuqi, në mënyrë të pavarur dhe pa asnjë ndikim nga jashtë.

– FKPK-ja mbetet e gatshme dhe e hapur që t’i ofrojë qasje të plotë kujtdo që i intereson për gjithë procesin e lartpërmendur por edhe procese të tjera. Vendimmarrja i ka takuar vetëm Bordit Drejtues, si tërësi, e jo individëve të caktuar ose ndikimeve të tjera. FKPK-ja, gjithashtu, kërkon që edhe të tjerët të mbajnë përgjegjësi për deklarimet e tyre dhe ato t’i bazojnë në fakte.

– FKPK mbetet e pëkushtuar që në punën e vet të ketë për bazë vetëm interesin e kontribuueseve në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe njëherësh siguron kontribuuesit së pretendimet e publikuara janë krejtësisht të pavërteta, dhe si të tilla nuk qëndrojnë.