REÇICA: GJURIQIT IU TREGUA SE KOSOVA ËSHTË SHTET

REÇICA: GJURIQIT IU TREGUA SE KOSOVA ËSHTË SHTET

28.03.2018 22:00:25

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka thënë se shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqit, i është treguar se Kosova është shtet.

Në emisionin “Monitor” të mërkurën është diskutuar për raportet Kosovë-Serbi.

Reçica ka theksuar se zyrtarët serbë me deklaratat e tyre vazhdimisht kanë tensionuar situatën.

“Vazhdimisht gjatë këtyre vizitave zyrtarët serbë kanë shkaktuar tensione. Gjuriq gjithmonë me triumfalizëm ka deklaruar: unë jam në shtetin tim, pra duke përdorur terma fyese. Në këtë rast i është treguar se shteti ekziston. Kjo ka mundur të bëhet edhe më herët, por Kosova po shkon duke i hequr problemet një nga një”, ka theksuar ai.

Deputeti i pavarur Sali Salihu e ka parë arrestimin e Gjuriqit si një inskenim. “Një e keqe tjetër që po e pret Kosovënë shtë Asociacioni. Arrestimi i Gjuriqit ndodhi pas bisedës Thaci-Vuçiq, gjë që të lë përshtypjen se është fjala për inskenim. Policia do të duhej që edhe më herët të dërgohej në very dhe Gjuriq do të duhej që të arrestohej sa herë është future në Kosovë. Bindja ime është se kjo do ta përshpejtojë themelimin e Asociacionit”, është shprehur ai.

Rrahman Paçarizi, analist politik, ka thënë se Policia e Kosovës ka kryer punën e saj, por megjithatë ka pasur një spektakël. “Unë nuk besoj që ka qenë krejt rastësi arrestimi në veri i Gjuriqit me dëbimin e diplomatëve rusë nga vendet e tjera…”, ka thënë ai.

Armend Muja, analist politik, ka thënë se Gjuriq nuk do të duhej të lejohej të futej kurrë në Kosovë. “Është ky person që po mbanë marrëdhëniet ndëretnike në tension që tri vite…”, ka thënë ai.

Deputetët Arben Gashi dhe Ilir Deda edhe pse të ftuar në emision, nuk kanë marrë pjesë.