Reçica: Mirëqenia e qytetarëve, objektivi kryesor i Qeverisë

13.01.2018 15:27:22

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, thotë se në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, dje u miratuan një sërë propozim vendime të cilat i paraqita kabinetit qeveritar, vendime që do të kontribuojnë pozitivisht në ngritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e vendit.

Reçica, përmes një postimi në Facebook, thotë se “Pagesa mujore për familjet në skemën e ndihmave sociale do të rritet për 20%”.

“Bazuar në të dhënat e publikuara nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare mbi varfërinë dhe papunësinë, familjet në Skemën e Ndihmës Sociale vazhdojnë të jenë shtresa më e varfër dhe më e goditur në aspektin ekonomik dhe social dhe ky vendim ka për qëllim ndryshimin e një situate të tillë”, ka shkruar ai.

“Në mbledhjen e Qeverisë u miratua edhe propozim vendimi ynë për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 65.000.00 euro për mbështetje të disa OJQ-ve, të cilat ofrojnë shërbime për strehim të viktimave të dhunës në familje, mbrojtjen e fëmijëve dhe viktimave të trafikimit. Mjetet janë ndarë për muajin janar dhe shkurt me qëllim të ofrimit të mbështetjes së tyre në mbulimin e kostove për klientët në nevojë”.

Sipas tij, fusha e sigurimeve shëndetësore është e një rëndësie të veçantë dhe bazuar në obligimet që dalin nga Ligji për Sigurime Shëndetësore dhe është kërkuar nga MPMS që të përcaktohet institucioni përgjegjës për zbatimin e Testit të Varfërisë, për disa kategori sociale.

“Pas miratimit të propozim vendimit, Qendrat për Punë Sociale, si institucioni më kompetent dhe me i përshtatshëm për të zbatuar sistemin e targetimit për lirim nga pagesat e premiumeve për sigurime shëndetësore do të angazhohen në realizmin e testit të varfërisë”, thotë ministri.

Ai thotë se Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Bordit Këshillëdhënës të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës i cili themelohet për të dhënë këshilla për përgatitjen dhe zbatimin e politikave të punësimit dhe aftësimit profesional në tregun e punës dhe për zhvillimin dhe funksionimin e përgjithshëm të Agjencisë.

“Mirëqenia sociale dhe rritja e punësimit për qytetarët tanë është objektivi im kryesor dhe këto vendime, krahas angazhimeve tjera konkrete, i hapin rrugë përpjekjeve për të bërë ndryshime pozitive në këtë drejtim”, ka shkruar Reçica.