Rekrutonin ushtarë për ISIS, goditet organizata kriminale

05.11.2016 18:03:17

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se në kuadër të një operacioni rajonal Antiterror, të zhvilluar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nga strukturat e specializuara të luftës kundër terrorizmit, janë ndaluar katër shtetas shqiptarë, si dhe janë shoqëruar 16 shtetas të tjerë – nga këta pesë të huaj dhe 11 shqiptarë.

Policia sqaron se operacioni është drejtuar nga Drejtoria Antiterror në Policinë e Shtetit në bashkërendim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Shkodër, Dibër, Elbasan, si dhe me Forcat e Lëvizshme Operacionale dhe është zhvilluar në qytetet Tiranë, Dibër, Shkodër dhe Elbasan.

Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohen se “në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetas të tjerë jashtë vendit, propagandojnë nxitjen e urrejtjes, rekrutimin e personave për të shkuar në Siri përkrah organizatës terroriste ISIS, mbështesin me logjistikë e financime këtë organizatë terroriste, si dhe mund të udhëtonin në zonat e konfliktit në vendet e Lindjes së Mesme”.

Operacioni është në vijim dhe hetimet po ndiqen në dinamikë në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda.