Retë e zeza nuk hiqen nga qielli i Kosovës pa u zbuluar dhe dënuar kriminelat dhe vrasësit e lirisë së Kosovës

11.01.2017 17:08:53

Sot, 11 janar 2017, mbushen 18 vjet nga vrasja e lajmtarit të lirisë Enver Malokut, një nga themeluesit e Qendrës Informative të Kosovës(QIK-ut) dhe prej vitit 1993 e deri në vdekje e drejtoi me shumë sukses këtë Qendër, e cila u cilsua si Agjenci kombëtare e lajmeve. Enver Maloku ishte një hero i gazetarisë shqiptare, zëdhënësi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai është shembull si punohet për Atdheun, Ai e mbronte me ngulm legjitimitetin popullor të rezistencës kundër shtypjes serbe dhe njëherësh mbronte legjitimitetin po aq popullor të Presidentit Dr.Ibrahim Rugova dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës përballë okupatorit serb dhe forcave të ashtuquajtura majtiste të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPK). Ai e dinte rrezikun e punës së tij, po nuk u ndal për asnjë moment. Me vrasjen e Enveri mbi të gjitha dhe më së shumti u godit lëvizja për liri dhe pavarësi të Kosovës, ku ai, fund e krye, ish zëdhënësi më i përkushtuar i saj, ish vepruesi më i palodhur dhe i pandalshëm i saj dhe gazetaria shqiptare, ajo gazetari e guximit të paimagjinueshëm për kohën e rrethanat, që më së shumti i duhej dhe kish nevojë Kosova. U godit, mbi të gjitha, njeriu që mendonte shqip, vepronte shqip, që gjërat i thoshte troç e shqip, njeriu që fillim e mbarim ndenji vertikal në rrugën drejt lirisë. Kjo goditje nuk ishte dhe nuk është as sot e lehtë, kur shihet, vërehet e shenjohet mungesa e Tij apo e një Njeriu përmasash si Ai. Retë e zeza nuk hiqen nga qielli i Kosovës pa u zbuluar dhe denuar kriminelat dhe vrasësit e lirisë së Kosovës. Lavdi Heroit të kombit Enver Maloku! I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Haki Latifi