Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, në seancën e Kuvendit të Kosovës ia ka përmendur deputetit Igor Simiq nga Lista Serbe, krimet që forcat serbe i kanë kryer në Kosovë dhe për të cilat nuk kanë kërkuar falje.
Ai ka kujtuar edhe një rast gjatë luftës kur forcat serbe e kishin therrur dhe djegur të gjallë fqinjin e tij.
“Ju e keni therrur atë, e keni lidhur e pastaj e keni djegur të gjallë. Në shumicën e vendbanimeve, përpos që i kanë kryer paramilitarët e policia krimet, i kanë kryer edhe fqinjët me të cilët kanë jetuar në harmoni dikur”, tha Rexhaj.
Rexhaj tha se Lista Serbe ka hyrë në Kuvend me vota të cilat i kanë marrur duke i shantazhuar votuesit.
“Mënyra se si jeni këtu është jodemokratike, votat që i merrni i merrni me shantazh, këtë e dimë”, tha Rexhaj.
“Po du me ua përkujtu këtyre, se nuk janë kolegë të mi. Se këta përfaqësojnë Serbinë, e jo qytetarët serbë në Kosovë. Janë të njëjtë me bindje, si në kohën e Millosheviqit, për arsye se nuk kanë kërkuar falje për krimet që kanë kryer në Kosovë, për gjenocidin që kanë bërë në Kosovë, për depërtimin, dhe për të pagjeturit që nuk i kanë kthyer ende. Madje janë po ajo krajatë e politikanëve, që i mbështesin ata politikanë në Serbi të cilët i kërcënojnë hapur qytetarët të mos tregojnë se ku janë varrezat e shqiptarëve në Serbi. Ju keni vrarë në Kosovë, keni masakruar, keni dhunuar, keni bërë gjenocid. Kur kërkoni falje si komb; atëherë jemi në rregull në kuptimin e kërkim faljes”, tha Rexhaj.








































