Rexhep Ismajli, anëtar i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave

24.04.2018 09:28:06

Rexhep Ismajli, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), me anë të një letre zyrtare, është njoftuar se është zgjedhur e pranuar si anëtari më i ri i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave (American Academy of Arts and Sciences). Në këtë Akademi, të themeluar në vitin 1780, kanë qenë anëtarë persinalitete me rëndësi në historinë e mendimit dhe të kulturës botërore, si Benjamin Franklin, Thopmas Jefferson, Charls Darvin, Albert Einstein, John Keynes, Akira Kurosava, John Updike etj.

Rexhep Ismajli lindi në Preshevë më 1947.Studimet për gjuhë dhe letërsi i mbaroi në Prishtinë më 1971. Në vitet 1971-1973 specializoi për gjuhësi në Institut de linguistique générale et appliqué “René Descartes” (Sorbonne), Paris, nën drejtimin e André Martinet.

Më vonë (1977/ 78) vazhdoi specializimin në Institut für Allgemeine und Vergleichende Sprachwissenschaft të Universitetit të Bochum-it. Doktoratën në shkencat filologjike, me tezën Gjuha shqipe e Kuvendit të Arbënit (1706) – hulumtime grafiko-fonologjike, e mbrojti në Universitetin e Prishtinës, më 1982.

Më 1972 filloi punën si asistent, pastaj ligjërues, docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar për lëndët Gjuhësi e përgjithshme dhe Histori e gjuhës shqipe në Degën e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik/Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë kësaj kohe i ka drejtuar studimet e Gjuhësisë së përgjithshme dhe të Historisë së gjuhës shqipe në Studimet e shkallës III në Degën e gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.Më 1989 policia jugosllave e vuri në “izolim” për 3 muaj në burgjet e Leskovacit, të Beogradit dhe të Prishtinës, pa mandat gjyqësor.

Në vitet 1990-1993 ka mbajtur mësime për gjuhën shqipe dhe gjuhësinë shqiptare në Universitetin e Lubjanës. Më 1997 ishte për një semestër profesor i ftuar (Gastprofessor) në Universitetin Ludwig-Maximilian të Münchenit për të mbajtur mësime për albanologji.

Pastaj vijoi mësimdhënien për albanologji në München deri në vitin 2000. Në vitin 2000 u kthye në Prishtinë të vazhdonte mësimdhënien në Universitet. Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Tre vjet më vonë u zgjodh anëtar i rregullt. Në vitet 1996-1999 ka qenë Sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ndërsa në vitin 2000 u zgjodh Sekretar i përgjithshëm i kësaj akademie.Në vitin 2002 u zgjodh anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve me seli në Vjenë/ Salzburg.

Si përfaqësues i ASHAK është anëtar i Interacademic Human Rights Network, New York.Në tetor 2002 u zgjodh Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.Më 1971, bashkë me Ibrahim Rugovën dhe Hivzi Islamin, themeloi revistën shkencore Dituria. Nga viti 1990 ishte i angazhuar në lëvizjen politike në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK, në të cilën ishte anëtar i Kryesisë me përgjegjësi për marrëdhëniet ndërkombëtare. I pakënaqur me zhvillimet, më 1994 dha dorëheqje nga posti politik.

Përveç si profesor, ka qenë i angazhuar rreth botimit të revistave shkencore, si: Dituria, Recherches albanologiques 1-4, Prishtinë (frëngjisht), Studia humanistica, Prishtinë, Godišnjak društava za primenjenu lingvistiku Jugoslavije, Beograd, Studime, ASHAK, Filologji, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë, Thema, revistë e sociologjisë, Prishtinë, etj; bashkëthemelues dhe redaktor i botimeve Fryma, (mbi 70 vëllime në fushën e dijeve shoqërore), Rozafa (letërsi), Dukagjini Balkan Books (frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht), të shtëpisë botuese Dukagjini.Ka marrë pjesë prej fillimit në punën e Qendrës së Kulturës Shqiptare për të Huajt/ Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në fillim Sekretar, anëtar i Këshillit drejtues, ndërsa në vitet 1998-2002 Drejtor i Seminarit.