Rezultati i dobët i PD-së/ Ja cilët janë emrat e njohur të opozitës që mbeten jashtë Kuvendit

26.06.2017 17:03:45

Shumë nga emrat e njohur të së djathtës por edhe të Partisë Demokratike, sipas rezultateve paraprake të numërimit të votave nuk do të bëhen pjesë e Kuvendit të ri e kjo për shkak të rezultatit të dobët që po regjistron aktualisht PD me vetëm 43 mandate të siguruara.

Konkretisht një nga këta personalitete të së djathtës që rrezikon të mos hyjë në Parlament eshtë Preç Zogaj, i renditur i katërti në listën e PD-së për qarkun e Lezhës. Aktualisht PD në këtë qark ka siguruar tre mandate.

Në Qarkun e Durrësit, Agron Duka i PAA-së, i renditur i pesti në listën e Partisë Demokratike rrezikon të mos e fitojë mandatin për shkak se sipas numërimeve paraprake, PD rezulton të ketë derimë tani katër mandate.

Projeksioni në Qarkun e Shkodrës, e përjashton momentalisht edhe Nard Ndokën e PDK-së, të renditur të pestin në listën e PD-së e kjo për shkak se momentalisht demokratët kanë siguruar në këtë qark vetëm 4 mandate.

Në Qarkun e Vlorës, fitorja e mandatit të deputetit duket e vështirë për Sekretarin Organizativ të PD-së, Arben Ristanin i renditur i katërti në listë pas Vangjel Dules së PBDNJ-së që duket se e ka siguruar vendin në Kuvendin e ardhshëm.