Rikthehen reshjet e borës, probleme në disa zona, rrugët nacionale të kalueshme

16.01.2017 10:50:24

Reshjet e dëborës me intensitet të dobët kanë rinisur sërish në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Korçë. Sipas Emergjencave Civile akset nacionale janë të kalueshme, ndërsa në disa akse duhet të përdoren zinxhirët. Punonjësit e emergjencave, Policia e Shtetit dhe gjithë strukturat e angazhuara për përballimin e situatës, gjenden në terren për t’iu gjendur pranë qytetarëve e mjeteve në vështirësi.

Grupet e specialistët të OSHEE janë duke punuar për riparimin e defekteve në disa zona ku ka munguar energjia elektrike.

Në të gjitha zonat e prekura nga dëbora Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale Shtetërore ka shpërndarë e ndihmave ushqimore dhe materiale. Ditën e sotme do të dërgohen ndihma në fshatrat Theth, Ketë, Çajë dhe Selishtë.

Situata në qarqe paraqitet si më poshtë:

QARKU SHKODËR-Në qarkun e Shkodrës të gjitha akset kombëtare janë të qarkullueshme pa probleme. Përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm në disa akse rurale të këtij qarku.

Të qarkullueshme me zixhirë janë akset rrugore Shkodër – Shllak – Temal ,Tamarë – Vermosh, Hadroj – Qafë – Bene ,Fushë Arrëz – Qafë Mali – Fierzë, Fushë Arrëz – Qafë Shllak, Qafë Çele – Pukë – F.Arrëz, Qafë Qerret – Qelëz- Bardhet – Iballë dhe Shkodër – Bregu Lumit – Theth

Aksi rrugor Shkodër – Theth është i kalueshëm deri në Qafë Thore

QARKU KUKËS-Të gjitha akset kombëtare në shkallë qarku qarkullohen pa zinxhirë, përjashtuar aksin rrugor Ura e Zapotit-Shishtavec.

Aksi rrugor për në Njësinë Administrative Arrën vazhdon i bllokuar.

Po punohet për hapjen e rrugëve që paraqesin probleme për lidhjen e fshatrave me qendrën administrative.

Në Njësinë administrative Gjinaj ka pasur probleme me furnizimin me energjinë elektrike.

QARKU DIBËR-Në akset rrugore Qafë Bualli – Peshkopi – Maqellarë – Bllatë, Kuben – Vasie, Ura e Qytezës – Zerqan dhe Ura e Çerenecit – Steblevë qarkullimi i mjeteve kryhet pjesërisht me zinxhirë.

Në aksin Qafë Bualli – Krastë, qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

Aksi rrugor rural Peshkopi-Lurë vazhdon të jetë i bllokuar, por kalimi i mjeteve kryhet nga aksi rrugor Kurbnesh- Lurë.

Për hapjen e akseve rrugore problematike po punohet me forca dhe mjete.

QARKU KORÇË-Në qarkun e Korçës të gjitha akset kombëtare janë të qarkullueshme. Aksi rrugor Korçë – Boboshticë – Dardhë është i kalueshëm me zinxhirë ndërsa aksi Korçë-Ersekë është i kalueshëm me zinxhirë në pjesë të caktuara.

Probleme me furnizimin me energji elektrike ka pasur në fshatin Mollas të bashkisë Kolonjë.