Roskovec, Rama: Në katër vitet e ardhshme rrisim pagat me 40%

11.06.2017 17:01:03

Në takim e radhës elektoral në Roskovec, kryeministri Edi Rama deklaroi se në katër vitet e ardhshme rritja ekonomike do të shkojë 5.5 për qind. Veç kësaj pohoi se rrogat do të rriten me 40 për qind.

Rama theksoi se Partia Socialiste është e vetmja që mund të bëjë shtet, duke ripërsëritur se këtë herë duan timonin të vetëm.

“Jemi të bindur se mund ta çojmë ekonominë tonë mbi 5.5 për qind nëse na jepni timonin. Ne jemi të bindur se rrogat minimale do ta çojmë në 300 mijë lekë, se do të rrisim çdo ditë pensionet.

Ne jemi të bindur se duke hequr taksën mbi vlerën e shtuar dhe duke kthyer subvencionin për fermerët në një sistem të drejt, do t’i japim çdo fermeri mundësinë që të ngrihet ekonomikisht si asnjë herë më parë. Ne jemi të bindur se rrogat do t’i rrisim 40 për qind në 4 vitet e ardhshme.

Rilindja urbane do të shtrihet në njësitë administrative, deri në fshatin më të largët. Ripërtëritja e sistemit arsimor do të vazhdojë, vetëm nëse ju nuk i lejonin partitë e tjera që të mos fusin duart”, deklaroi kryeministri.