Rrahet një polic në Zubin Potok

08.08.2017 10:33:49

Pjesëtari i Policisë së Kosovës në Zubin Potok, Nedeljko Kasalloviq, është rrahur nga një person, me ç’rast ka marr lëndime të rënda në kokë dhe është trajtuar në repartin e kirurgjisë të spitalit në veri të Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Sipas këtyre burimeve, ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 21:00 në kafenenë “M” në Zubin Potok. “Mbrëmë rreth orës 21:00 në kafenenë ‘M’ në Zubin Potok është sulmuar polici Kasalloviq, i cili ishte jashtë detyrës, me ç’rast ka marr lëndime në kokë dhe është trajtuar në spital.

Ai u sulmua nga personi me emrin Dragan Viçentijeviq, i cili veç tjerash, gjatë rrahjes ka përdorur edhe karrigen, duke e goditur viktimën në kokë”, kanë thënë burimet. Burimet më tej kanë shtuar se sulmuesi është i njohur për policinë, për shkak të veprave të ndryshme kriminale në të kaluarën. Ndryshe, kjo është hera e dytë që polici Kasalloviq sulmohet.