Rrahim Elshani, kandidat i pavarur për kryetar të Drenasit

10.11.2016 10:36:10

Rrahim Elshani, kryetar i nëndegës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas për fshatrat Baicë, Krajkovë, Damanek, Abri dhe Tërdefc, ka kandiduar si kandidat i Pavarur për kryetar të Komunës së Drenasit.

Elshani në një prononcim për Telegrafin, thotë se arsyeja e kandidimit të tij është që të bëjë ndryshime në të mirë të vendit dhe të popullit të tij.

Sipas tij, kundërkandidatët e tij nuk kanë vizion, ide, guxim dhe s’kanë kuadër përgatitje adekuate për këtë pozitë.

“Nuk e di se si këta kanë me dërgua vendin përpara. Unë jam profesor. I kam dy fakultete të kryera. Jam Inxhinier i Teknikës dhe profesor i Teknologjisë Informative. Aktualisht punoj në gjimnazin ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’, në Drenas. E kam qit kandidaturën që të ndryshoj për mirë në këtë vend, për të mirën e popullit, ky është mendimi im. Kam vizion, ide guxim. E di çka është biznesi, i di këto gjëra. Edhe nëse nuk zgjidhem unë prapë mbetem kryetar i nëndegës së Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Elshani duke shtuar se nuk e beson që PDK-ja do t’i fitoj zgjedhjet në Drenas pa balotazh.

Gjithashtu ai tregoi se është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku këtë e dëshmoi edhe me dokumentacionin e tij për kandidim.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zyrtarizuar Ramiz Lladrovcin, deri më tani ambasador i Kosovës në Shqipëri, kandidat për kryetar të Drenasit.

Por, një tjetër kandidat i cili vjen po nga radhët e PDK-së është edhe kryesuesi i Kuvendit të Drenasit, Naim Bazaj.