Rrahim Tërnava kandidat i PDK-së për kryetar të Fushë Kosovës

29.05.2021 16:45:20

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj sot ka prezantuar kandidatin për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Rrahim Tërnava.

Hoxhaj gjatë një takimi që pati me degën e PDK-së në Fushë Kosovë tha se Rrahimi është ai që do t’i thotë “boll mo” degradimit në këtë komunë.

Në një konferencë për media, Hoxhaj ka thënë se Fushë Kosova është komunë strategjike me një kandidat si Tërnava, i cili përfaqëson vlerat më të mira për të qenë kryetar i kësaj komune.

“Kjo është një epokë e re për PDK-në jo vetëm në Fushë Kosovë po edhe në nivel vendi… Fushë Kosova është një komunë strategjike me një kandidat i cili i përfasqëon vlerat më të mira që mund t’i përfaqëojë një qytetar dhe një bashkëqytetar i juaji për të qenë kryetar i ardhshëm i Fushë Kosovës. Unë jam i lumtur që në këtë ditë të bukur dhe në këtë qytet të vecantë shoh sot shumë qytetarë të Fushë Kosovës të ciëlt janë mbledhur në këtë takim për ta mbështetur kandidaturën e z. Tërnava për të qenë kryetar i Fushë Kosovës meqë ju si qytetarë e doni qytetin tuaj, dhe jeni të interesuar që të jetë më i zhvilluar ”, ka theksuar Hoxhaj.

Ndërsa, kandidati për kryetar të komunës së Fushë Kosovës nga radhët e PDK-së, njëherësh kryetar i Degës së PDK-së në Fushë Kosovë, Rrahim Tërnava ka falënderuar kryetarin Hoxhaj dhe strukturat e partisë për mbështetjen e ofruar dhe besimin e dhënë.

Ai ka theksuar se dy palë zgjedhjet e fundit PDK në Fushë Kosovë ka pasur ngritje të votës dhe se në këto zgjedhje lokale PDK-ja do ta marrë besimin për të qeverisur në këtë komunë, për ta përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.

“Qysh sot para se të vijmë këtu kemi filluar ta përgatisim listën për kandidatët për asamble, kemi filluar planin e punës sipas udhëzimeve të kryetarit Enver Hoxhaj. Kemi dalë në terren dhe jemi njohur me të gjitha problemet në fshatra dhe qytete. Të gjitha këto probleme si infrastruktura, komunikacioni, sporti, arsimi, shëndetësia janë për shkak të keqmenaxhimit nga zyrtarët komunalë sepse nuk dinë të punojnë më mirë dhe kjo është arsyeja kryesore që më ka shtyrë të bëhem kryetar dege dhe të kandidoj tani për kryetar të komunës”, ka thënë Tërnava.

Gjatë ditës, Hoxhaj ka prezantuar edhe kandidatin e PDK-së për kryetar të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totajn.