Rrahje me kaçavida në Viti, tre të arrestuar

08.09.2016 13:19:18

Policia e Kosovës në Viti ka arrestuar tre të dyshuar pasi që të njëjtit kanë sulmuar me mjete të forta dy persona tjerë, duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Ngjarja që ka ndodhur në rrugën  “Adem Jashari”, ku sipas Policisë gjatë arrestimit lëndime ka pësuar edhe një zyrtar policor, i cili pas tretmanit mjekësor është liruar, ndërsa viktimat janë dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal në Gjilan, më pastaj njëri nga viktimat për shkak të lëndimeve është dërguar në QKUK.

Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe kanë konfiskuar si dëshmi një kaçavidë, një kub betoni si dhe nga të dyshuarit kanë konfiskuar edhe një sasi prej një gram substancë të dyshuar narkotike.

Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.