Rrahmani: Gjendja para kolapsit, s’po paguhen specializantët

26.03.2018 13:06:03

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka thënë për “Zërin” se janë krijuar probleme me operatorë ekonomikë, të cilët do t’i kushtojnë Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas tij, gjendja për furnizim me barna është para një kolapsi. “Gjendja është shqetësuese. Pra, gjendja është para kolapsit total të furnizimit me barna. Janë krijuar probleme me operatorë ekonomikë që kanë për t’i kushtuar shumë buxhetit të MSH-së. Nuk po përcillen me rregull pagesat e specializantëve, po ashtu po mbahen padrejtësisht me muaj licencat e institucioneve shëndetësore dhe të individëve nëpër zyra”, ka thënë ai.

Rrahmani ka deklaruar se kthimi në këtë gjendje sa i përket mungesës së barnave paraqet dështim. “Kthimi i një gjendjeje ku mungojnë shumë barna dhe materiale shpenzuese pas një periudhe prej dy vjetësh të një furnizimi solid paraqet dështim.

Ka pasur një vlerësim se dhjetë milionë shtesë për barna dhe për materiale shpenzuese mbi buxhetin që ne kemi menaxhuar është i mjaftueshëm për mbulimin e nevojave të institucioneve spitalore në tërësi. Ka raporte nga SHSKUK-ja që flasin se ne kemi pasur furnizim mjaft të mirë në raport me buxhetin, derisa në kujdesin primar kemi arritur shifra deri në 80% nga lista esenciale”, ka thënë ai.

 

Sipas tij, MSH-ja ka promovuar procese që ai i kishte lënë në fazën finale. “Deri më tash kemi parë se janë promovuar shumë me bujë shumë rezultate të proceseve që ne ose i kemi mbyllur kah fundi i mandatit, ose i kemi lënë në fazën finale sikurse janë Spitali i Ferizajt, Mjekimi Intenziv Qendror, autoambulancat dhe autoambulancat për transportin e të porsalindurve. Po harrohet se ne e kemi funksionalizuar Kardiokirurgjinë dhe e kemi mbështetur krijimin e një baze të shëndoshë për Kardiologji Invazive falë edhe personelit të shkëlqyeshëm të këtyre klinikave”, ka thënë ai.