Rrëfimi i Xhavit Halitit, deputet në Kuvend nga legjislatura e parë

29.12.2018 14:13:04

Gati dy dekada jetë, Xhavit Haliti është pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për kaq kohë edhe ka mbajtur pozitën e njëjtë në Kuvendin e Kosovës, si nënkryetar.

Krijimin e institucioneve të para të Kosovës, Haliti e sheh si një sfidë të radhës pas asaj të luftës.

“Krijimi i institucioneve të Kosovës ka qenë një lumturi e dytë pas luftës së fituar me UÇK-në dhe ndihmën e NATO-s”, rrëfen Xhavit Haliti, për RTV Dukagjini.

Nisjen e seancës së parë të Kuvendit pos emocionit e mban mend edhe për gjuhën jo të mirë mes kolegëve, mandej kjo rrymë thotë se e përcjell ende vendin e debatit për çështjet me rëndësi për shtetin.

“Futjen e parë në Kuvendin e Kosovës e kam pasur me emocione të mëdha, edhe pse shumica e deputetëve nuk kanë pasur harmoni. Nuk kemi arritur që të kemi një foto të përbashkët as në fillim e as sot, ashtu si ndodh në shumicën e kuvendeve në botë”, thotë Haliti.

Në krejt punën e këtij institucioni ngjarja që e bënë më së shumti krenar është shpalla e pavarësisë së Kosovës me 17 Shkurt 2008. Por, sipas tij  edhe në këtë date të veçantë nuk u bë një foto e përbashkët e të gjithë deputetëve.

Për krejt këtë periudhë në Kuvend, Halitit i ka rënë shpesh të kryesojë seancat. E,  kjo pa dyshim ka bërë edhe të ketë shumë zënka e polemika me kolegë të tij. Ai jo rrallë edhe ka ndërmjetësuar,  duke u munduar të qetësojë situata të pazakonta mes deputetëve të Kuvendit.

Në mesin e të gjitha këtyre,  më së keqi thotë se është ndjerë pas zënkës me deputetin e LDK-së, Arben Gashi.

“Nuk kam pasur rast personal të veçantë. Vetëm në një rast nuk kam mundur të kontrolloj vetën”, thotë Haliti.

Me gjithë atë që ka ndodhur, Haliti legjislaturën aktuale që është e gjashta në radhë,  po e vlerëson si punëtore, ani pse ka inate mes deputetëve.

“Nuk më pëlqen që një pjesë e deputetëve nuk përshëndeten mes vete. I takon dhe e kthejnë kokën andej, nuk e kuptoj pse ndodh kjo”.

Ai shpalos edhe moment qesharake që jo rrallë ndodhin në këtë sallë të rëndësishme ku vendoset për ligjet që rregullojnë jetën e qytetarëve të Kosovës.

Xhavit Haliti, për RTV Dukagjini konfirmoi se do të jetë pjese e politikës edhe në mandatet tjera.

Historiku i Kuvendit të Kosovës si një institucion demokratik nuk është i gjatë. Kosova në vitin 1999 ka dal nga lufta duke u ballafaquar me një tranzicion të dyfishtë. Seanca e parë inauguruese e Kuvendit të Kosovës u mbajt me 10 dhjetor 2001. Përkundër dallimeve të mëdha në rezultatet e zgjedhjeve, për shkak të situatës së tensionuar politike dhe ndikimit të faktorit ndërkombëtar, partitë politike vendosen që të krijohej një koalicion i gjerë, gjithëpërfshirës mes LDK-së, PDK-së, AAK-s, PSHDK-së dhe pakicave.