Rreshjet janë rrezik për banorët e Malësisë së Sharrit, apelohet për zgjidhje (Video)

11.09.2016 18:14:03

Ky banorë i Shipkovicës ka dal për të pastruar vetë rrugën që është zënë si pasojë e reshjeve të shiut.

Ai thotë për Tv21 se pas çdo reshjeve banorët druajnë se do të përsëritet katastrofa e vërshimeve të 3 gushtit të vitit të kaluar, ku në këtë fshat humbën jetën 4 veta.

E pas çdo reshjeve bllokohet rruga kryesore e Malësisë së Tetovës, që lidh fshatrat e kësaj zone, në vendin e njohur si ura e “Përroit të madh” .

Banorët kërkojnë zgjidhje afatgjatë të problemit. Sipas tyre duhet ndërtuar urë të re, që do të përballonte prurjet masive të ujit nga malet.

“Zgjidhja adekuate të ishte rregulluar rruga dhe të ishte bërë urra disa metra lartë që të mos ketë hapësire uji të depërton në rrugë. Duhet punë, pa punë nuk bëhet asgjë. çdoherë qe bije shi ne nuk mund të kalojmë. Një kalimtarë i sëmurë mbetet këtu”, u shpreh Sehadin Islami, Banor i Bozovcës.

Një banorë nga Bozovca me të mbërritur në këtë vend zbret familjarët nga makina, për shkak të rrezikut nga bllokimi i pjesërishëm i rrugës.

“Pardje kalova këndej, kam prit katër orë deri sa e pastroi pak ngarkuesi, shumë rrezik është. Ja njerëzit i kamë lënë në këmbë që të kalojnë shkaku i rrugës“, tha Gëzim Shabani, Bozovcë.

Hysein Demiri, shefi i sektorit për urbanizëm në komunën e Tetovës thotë se planifikohet ndërtimi i urës së re, por ai nuk jep afat se kur do të ndodhë ndërtimi i saj.

“Unë nuk mund ta caktoj kohën se kur mund të nisim dhe kur mund të mbarojmë. Mirëpo vetëm këtë e them, se do të fillojmë së shpejti me urrën arsye se e kemi parë se është një projekt i domosdoshëm në atë pjesë, mirëpo po fillimisht ne duhet që t’i tejkalojmë disa probleme tjera, për ta realizuar atë”, shtoi Hysein Demiri, nga Komuna e Tetovës.

Kjo është rruga e vetme që lidh disa fshatra të malësisë së Tetovës me rrugën kryesore që të shpie në Tetovë.

Por pas çdo reshjeve Bozovca, Brodeci dhe Veshalla bllokohen për shkak të vërshimeve dhe rrëshqitjes së dheut në rrugë.