Rreth 100 prokurorë do të qëndrojnë kujdestar për zgjedhje

09.06.2017 17:34:30

Prokurori i Shtetit të Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës më 11 qershor dhe në këto zgjedhje të parakohshme do të angazhohen rreth 100 prokurorë, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie.

Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.

Ndryshe, në planin e veprimit të sistemit prokurorial është përcaktuar funksionimi i dhomës operative për koordinim me të gjithë prokurorët që do të kryejnë detyrën e tyre në të gjitha 38 komunat e Republikës së Kosovës, respektivisht në 7 objektet e prokurorive themelore dhe në 31 stacionet e policisë në ato komuna ku prokuroria nuk ka objekt të vetin.