Në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, që nga janari kanë lindur 6 mijë e 725 fëmijë.
Që nga 1 janari i këtij viti e deri më 27 shtator, në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, kanë lindur 6 mijë e 725 fëmijë.
Drejtori i kësaj klinike, Jakup Ismajli, ka bërë të ditur për lajmi.net, se nga këta 6 mijë e 725 fëmijë, 3 mijë e 195 kanë qenë femra dhe 3 mijë e 678 kanë qenë meshkuj.
Mirëpo në mesin e tyre siç bën të ditur Ismajli kanë qenë 156 binjakë dhe katër kanë qenë trenjakë dhe kanë qenë 2 mijë e 641 nëna që për herë të parë janë bërë nëna.
Ismajli po ashtu ka bërë të ditur për lajmi.net, se në periudhën e pandemisë COVID-19, kanë qenë 28 shtatzëna të infektuara me koronavirus të cilat kanë sjellë në jetë fëmijë.
Duhet theksuar se aktualisht në Kosovë numri i të infektuarve me koronavirus ka rënë dukshëm e po ashtu edhe numri i viktimave.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, që nga 13 marsi kur edhe janë regjistruar rastet e para me koronavirus, e deri më 27 shtator kanë qenë 622 viktima nga koronavirus, ndërkaq aktualisht numri total i viktimave është 630.








































