Rreziku nga depozitat e ujit – burim papastërtish dhe sëmundjesh në Tiranë

31.07.2017 21:05:44

Adem Cemurati ka pak muaj që është zgjedhur administrator  i një pallati në Tiranë dhe përveç shërbimeve të tjera që zgjidhi për banorët vendosi të heqë depozitat metalike të ujit, por u befasua nga ajo çfarë gjeti brenda tyre. Sipas tij, në momentin që hoqëm depozitat ishin shumë të pista, duke shtuar se “kishte papastërti dhe dherëra”. “Kishte një kohë të gjatë pa u pastruar, rreth 15 vjet”, thotë ai.

Vetëm 10 përqind e Tiranës furnizohet me ujë 24 orë, 90 përqind e saj mban depozita për të patur ujë pa ndërprerje. Ndonëse qytetarët blejnë ujë për të pirë, për të larë frutat, perimet, apo qoftë dhe për duart përdoret uji që vjen nga këto depozita, të cilat nuk pastrohen apo dezinfektohen sipas protokollit.

“Është një rrezik shumë i lartë që qytetarët e Tiranës e kanë. Depozitat krijojnë një shtresë, bazament të fortë për ndotje, qoftë ndotje bakteriale, qoftë ndotje të tjera. Ndryshon cilësinë e ujit dhe pasojat i ka shëndeti. Shkakton sëmundje si bark, diarre, por edhe sëmundje të tjera të rrezikshme”, thotë Dritan Ulqinaku, drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Tiranë.

Drejtoria e Shëndetit Publik u bën thirrje të gjithë administratorëve të pallateve të bëjnë pastrimin e depozitave të paktën një herë në vit si dhe t’i certifikojnë ato. Nisur nga ajo që pa, Ademi tregon sesi banorët u bindën dhe për të kontribuar.

“Banorët në momentin që e panë që kishin probleme depozitat, megjithëse është shumë e vështirë t’i bindësh, u bindën plotësisht dhe u treguan të gatshëm dhe kontribuan për të ndërtuar depon e ujit”, thotë Adem Cemurati.