Rrëzohet kërkesa/ Pezullimi për Vettingun mbetet. Tension, debat dhe përplasje mes gjyqtarëve e politikës

23.11.2016 12:24:30

Anëtari i Kushtetueses Kristo: Mos ka ardhur koha që të reformohet thellë sistemi politik, i cili është i deformuar. Pa reformuar sistemin politik, s’mundet që reforma të kenë efekte afatgjata

 

Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e Kuvendit dhe përkatësisht mazhorancës qeverisëse për të hequr masën e pezullimit për ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kushtetuesja argumentoi vendimin e saj me pritjen e opinionit nga Komisioni i Venecias deri më 10 dhjetor dhe vetëm më pas do mund të japë vendimin final lidhur me këtë diskutim. “Nga momenti që kjo gjykatë ka vlerësuar kushtet, rrethanat dhe marrjen e kësaj mase pezullimi dhe deri më tani nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë’, tha kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Në seancën e djeshme, krahas palëve të interesuara, morën pjesë edhe ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në vend, Donald Lu e Romana Vlahutin, të cilët mbështesin fort variantin aktual të ligjit të Vettingut. Por pavarësisht pjesëmarrjes “ndërkombëtare”, anëtarët e Kushtetueses nuk u ndikuan aspak, duke vendosur të mbajnë në fuqi pezullimin e ligjit për rivelrësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve deri sa të shprehet Venecia.

Seanca

Pas dhënies së vendimit, Gjykata shqyrtoi në themel ligjin për Rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ndërsa u njoh me argumentet e palëve të interesuara, Partisë Demokratike dhe Unionit të Gjyqtarëve si kundërshtues dhe Kuvendit të përfaqësuar nga deputetë Pandeli Majko dhe Vasilika Hysi si mbrojtës. Edhe një herë PD argumentoi se ligji aktual i Vettingut ëhstë antikushtetues duke nënvizuar se përmes tij po synohet kontrolli politik i sistemit të drejtësisë. “Ligji është antikushtetues. Ai nuk mundëson largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe qëndrojnë në sistem. Të vetmit që rrezikojnë nga ky ligj janë gjyqtarët e prokuroret e ndershëm që nuk i shërbejnë Kryeministrit”, tha eskperti i PD Gazmend Bardhi. Por ë emër të shumicës parlamentare deputeti socialist Pandeli Majko tha se kërkesa e Partisë Demokratike ngre kërkesën për të barazuar “dyshimin politik” me shkeljen e Kushtetutës. “Kërkesa e Partisë Demokratike ka kundërthënie të cilat bëjnë të qarta vetëm rezervat politike të palës kontestuese. Ajo kërkon të deformojë qëllimin e reformës së drejtësisë dhe  nxitjen e kolapsit procedurial të saj në sistemin e drejtësisë. Kërkesa ka qëllim krijimin e vështirësive në realizimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, u shpreh Majko. Më tej ai shtoi se ende nuk dihej ende arsyeja e pezullimit të një ligji të rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi. “Mos pasja e dyshimeve serioze apo dyshimeve të dukshme mbi shtetueshmërinë e ligjit, e bën të paarsyeshme marrjen e masës së pezullimit”. Në të gjitha argumentimet e palëve politike, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ndërhynë duke nënvizuar rëndësinë e mbajtjes jashtë të konfliktit politik nga ccështja. Po ashtu ata floën edhe për atë që u cilësua si mos besueshmëri ndaj Gjkatës dhe konflikt interesi në trajtimin e ccështjes. Për t’i hequr të drejtën në një farë mënyre kësaj gjykate, që në ato dispozita ku ka probleme kushtetuese të mos shprehet. Kufijtë mund t’ia vini me Kushtetutë dhe me ligj. Kufijtë se çfarë do të flasësh dhe si duhet të flasësh, këtu në këtë sallë e vendosim ne”, tha Kristo duke debatuar me  qëndrimet e deputetëve socialistë. Në këtë linjë socialisti Majko u shpreh: “Pak situatë e ngarkuar dhe dikush me mendjen e vetë mund ta ketë marrë edhe vendimin për këtë që po flasim”. Ndërkaq gjyqtari Vladimir Kristo shkoj përtej ligjit të Vettingut, duke kritikuar palët politike për mënyrën se si u hartua reforma në drejtësi. Në këtë kontekst ai theksoi se ka ardhur koha e reformimit të sistemit politik. “Mos ka ardhur koha që të reformohet thellë sistemi politik në këtë vend, i cili në vlerësimin tim si profesionist është i deformuar. Unë nuk kam besim personalisht se pa reformuar sistemin politik, mundet që reforma të rëndësishme të kenë efekte afatgjata”, theksoi anëtari i Gjykatës Kushtetuese.

Debati në Gjykatën Kushtetuese

Gazmend Bardhi ( Partia Demokratike): Ligji nuk mundëson largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe qëndrojnë në sistem. Të vetmit që rrezikojnë nga ky ligj janë gjyqtarët e prokuroret e ndershëm që nuk i shërbejnë Kryeministrit. ILDKP është organ i pavarur, por zgjedhja e kryetarit me shumicë të thjeshtë krijon problem. ILDKP mund të deformojë vettingun, të prishë apo të fshehë prova.

Bashkim Dedja ( kryetar i Kushtetueses) -Bardhit: Nuk jemi për politike këtu…

Gazmend Bardhi ( PD):  Kërkojmë deklarimin antikushtetues të ligjit. Ligji cenon edhe parimin e barazisë para ligjit.

Besnik Ymeri (anëtar i Kushtetueses): Jemi subjekt i ligjit. A mendoni se jemi ne konflikt interesi?

Gazmend Bardhi: Ju jeni subjekt i ligjit, por nuk ka dispozitë që ju mohon mundësinë e shqyrtimit të ligjit do të thotë se kushtetutbërësi e ka marrë parasysh këtë. Edhe Venecia parashikonte që mund t’i drejtohemi Kushtetueses.

Vladimir Kristo (anëtar i Kushtetueses): Neni 131 i Kushtetutës, keni vendosur kufizimin e gjykatës për shqyrtimin e çështjeve nga Gjykata Kushtetuese. Pse një zhvillim i tillë negativ?

Gazmend Bardhi ( PD): Grupi i PD e ka kundërshtuar këtë në amendamentet tona, Venecia pranoi që të ketë rol të ndërmjetëm. Sugjerimi ynë nuk është marrë në konsideratë nga Kuvendi.

Oerd Bylykbashi ( PD): Kjo çështje ka marrë debat në komision. Mbyllja e konsensusit në 22 korrik ishte moskapja e sistemit. Ne e kemi kundërshtuar.

Vladimir Kristo (anëtar i Kushtetueses): Ky qëndrim tregon ose mungesë besimi në gjykatë ose t’i heqë të drejtën gjykatës për t’u shprehur. A legjitimoheni ju në këtë rast?? Kur pashë formulimin e kushtetueses rezulton që të gjitha ligjet të kenë probleme. Na thoni që nuk legjitimoheni dhe hajde ta heqim gjykatën

Gazmend Bardhi ( PD): Ne ndajmë të njëjtin shqetësim me ju. E kemi shprehur këtë në opinionin tonë.

Vladimir Kristo (anëtar i Kushtetueses): Vettingu do bëhet dhe shumë mirë që do bëhet problemi që më shqetëson për dy palët, a është kjo zgjidhje për reformim të sistemit apo zgjidhje pragmatike? Këtu s’ka as afate. A zgjidhet përfundimisht. Mos ka ardhur koha që të reformohet thellë sistemi politik në këtë vend, i cili në vlerësimin tim si profesionist është i deformuar.

Pandeli Majko ( PS): Në dijeninë time asnjëherë Gjykata Kushtetuese nuk ka shqyrtuar ndryshimet kushtetuese. S’mund të trajtohet si aneks mallrash

Bashkim Dedja ( kryetar i Kushtetueses): Leri jashtë këto komente.

Gerd Hoxha (UGSH: Është shkelur parimi i shtetit të së drejtës ai i ndarjes së pushtetit, parimi i sigurisë juridike, ai i proporcionalitetit. Unë nuk e kam menduar asnjëherë që pushteti gjyqësor do të katandisej në këtë derexhe. Edhe ligji për statusin e gjyqtarit është antikushtetues.

Vladimir Kristo (anëtar i Kushtetueses): Ju i keni mekanizmat ta pastroni vetë veten dhe jo tua pastrojnë të tjerët. Nuk keni nxjerr asnjë rast jashtë sistemit.

Pandeli Majko (PS) : Kërkesa e PD ka kundërthënie që ve në pah qëllime politike dhe krijimin e vështirësive në implementimin e drejtësisë. Theksoj se qëllimi i rivlerësimit të gjyqtarëve nuk është thjesht largimi i gjyqtarëve e prokuroreve të korruptuar. Ka pasur konsulencë të EURALIUS e OPDAT dhe do kenë rol me ONM. Kjo reformë nuk mund të përdoret për kredite politike. Ky ligj duhet zhbllokuar e ky është rasti.

Vasilika Hysi ( PS): Kushtetuta ka marrë përgjigje me votë unanime në korrik, i referohem deklaratës së njërit gjyqtar këtu.

Vladimir Kristo ((anëtar i Kushtetueses) : Kufijtë e kësaj gjykate ia vendosni me ligj por mos mu drejtoni personalisht. Ne prandaj jemi krijuar, për të vendosur ekuilibra në pushtet. Vendimmarrjet tona s’i kanë pëlqyer politikës.

Vasilika Hysi (PS): Nuk mund të presin qytetarët që drejtësia të vetëpastrohet. Kjo është reformë për të pastruar sistemin nga korrupsioni. ILDKPI e bën shumë mirë këtë.

Besnik Ymeri (anëtar i Kushtetueses): Pse nuk u parashikuan të gjitha institucionet në Kushtetutë, por vetëm ILDKPI?

Pandeli Majko ( PS): E kuptoj se ka ngarkesë emocionale kjo çështje dhe mund të ketë nga ju anëtarë që e kanë vendimin në kokë tashmë, e ka marrë vendimin.

Besnik Ymeri (anëtar i Kushtetueses): Pse është deformuar qëllimi i Kushtetutës?

Vasilika Hysi ( PS): Nuk është deformuar qëllimi. Ka shumë gjyqtarë që mund të kenë pasur probleme me drejtësinë.

Vladimir Kristo (anëtar i Kushtetueses) : Nëse Shqipëria është në dyert e BE, kontribut ka Gjykata Kushtetuese, çdo aludim është i pabazë.

Vasilika Hysi ( PS): Po ta kishte bërë vetë drejtësia nuk do kishim ardhur në këtë pikë. Që ne të bënim edhe anekse në Kushtetutë.