Rritja e çmimit të ujit, Basha: Veprim kriminal ndaj qytetarëve

25.07.2017 23:47:32

Kreu demokrat Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Basha shkruan në Facebook se për të kompensuar keqmenaxhimin dhe vjedhjen në ujësjellësin e Tiranës, Edi Rama përmes Erion Veliajt ka vendosur të dënojë qytetarët. Ai bën me dije se këshilltarët e djathtë do të votojnë kundër.

“Rritja e çmimit të ujit të pijshëm është veprim kriminal ndaj qytetarëve i Ramës dhe Veliajt. Është një tjetër rekord i një qeverie thellësisht anti-popull.

Pasi harxhoi më shumë se 500 milionë euro të parave publike për fasada dhe luks, Edi Rama u kujtua se qytetarët e Tiranës nuk kanë ujë. Për të kompensuar keqmenaxhimin dhe vjedhjen në ujësjellësin e Tiranës, Edi Rama përmes Erion Veliajt ka vendosur të dënojë qytetarët duke jua faturuar atyre koston e keqqeverises së tij.

Partia Demokratike do të votojë nesër kundër këtij vendimi anti-popullor dhe ju bën thirrje të gjithë këshilltarëve të tjerë bashkiakë të votojnë për interesat e qytetarëve që ata përfaqësojnë dhe jo të dyshes Ramës e Veliajt”, shkruan Basha në Facebook.