Rritje e lehtë e LDK-së në zgjedhjet lokale, del fituese në dy komuna dhe garon në balotazh në 9 të tjera

20.10.2021 08:39:20

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit që u mbajtën në të gjithë territorin e Kosovës, kanë përmbysur parashikimet e disa subjekteve politike, ndërsa kanë përmbushur pritshmëritë e tyre në komuna të caktuara.

Nga rezultatet që janë publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më tani, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar pa balotazh në dy komuna të Kosovës.

Fitoren më të thellë pa balotazh, LDK-ja e ka shënuar në Komunën e Pejës, ku kandidati për kryetar komune nga ky subjekt politik, Gazmend Muhaxheri, ka marrë 60.41 për qind të votave ose 22 mijë e 778 vota, duke lënë në vendin e dytë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Agusholli, i cili ka marrë 22.36 për qind të votave ose 8 mijë e 431 vota.

Fitore pa balotazh LDK-ja ka shënuar edhe në Komunën e Lipjanit, ku kandidati i kësaj partie, Imri Ahmeti, ka marrë 56.45 për qind të votave ose 14 mijë e 412 vota, duke lënë në vend të dytë kandidatin e VV-së, Adnan Rrustemi, i cili ka arritur të marrë vetëm 22.96 për qind të votave ose 5 mijë e 861 vota në total.

Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti kanë qenë duke udhëhequr në komunat e lartëcekura deri në zgjedhjet e 17 tetorit të këtij viti, ndërsa qytetarët e këtyre komunave kanë vendosur që t’iu japin besimin edhe për një mandat tjetër 4-vjeçar.

Në anën tjetër, LDK-ja ka shkuar në balotazh në nëntë komuna të Kosovës, ku me vota ka dalur e para në Fushë Kosovë, Podujevë, Viti, Istog dhe Dragash, ndërsa ka dalur e dyta me vota në Gjilan, Junik, Vushtrri dhe Prishtinë.

Në Komunën e Fushë-Kosovës, kandidati i LDK-së, Burim Berisha ka marrë 49.96 për qind të votave ose 7 mijë e 842 vota në total, duke iu pamundësuar fitorja pa balotazh për pak vota. Në këtë komunë Berisha do të garojë në balotazh me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Bajçinca, i cili është radhitur në zgjedhje në vendin e dytë me 25.33 për qind ose 3 mijë e 977 vota në total.

Në balotazh LDK-ja ka shkuar edhe në Komunën e Podujevës, ku kandidati i kësaj partie, Ekrem Hyseni ka dalur i pari në zgjedhje me 44.30 për qind të votave ose 16 mijë e 451 vota në total. Hyseni do të garojë në balotazh me kandidatin e LVV-së, Shpejtim Bulliqi, i cili është radhitur në vendin e dytë me 44.00 për qind ose 16 mijë e 338 vota në total.

LDK-ja ka shkuar në balotazh edhe në Komunën e Vitisë, ku kandidati i kësaj partie, Sokol Haliti, ka dalur i para me 41.78 për qind ose 8 mijë e 111 vota në total. Haliti ka shkuar në balotazh me kandidatin e LVV-së, Arsim Demi, i cili është radhitur i dyti në zgjedhjet e 17 tetorit me 34.85 për qind ose 6 mijë e 766 vota në total.

Në Komunën e Istogut, kandidati i LDK-së për kryetar komune, Ilir Ferati, ka dalur i pari në zgjedhjet e djeshme me 40.91 për qind ose 7 mijë e 607 vota në total. Ferati do të përballet në balotazh me kandidatin e AAK-së, Bekë Berisha, i cili në zgjedhje është radhitur i dyti me 26.61 për qind ose 4 mijë e 947 vota në total.

Balotazhi e ka përcjellur LDK-në edhe në Komunën e Dragashit, ku kandidati i kësaj partie, Bexhet Xheladini ka dalur i pari në zgjedhje me 34.76 për qind ose 4 mijë e 455 vota në total. Xheladini në balotazh do të garojë me kandidatin e PDK-së, Shaban Shabani, i cili në zgjedhje është radhitur i dyti me 33.69 për qind ose 4 mijë e 318 vota në total.

LDK-ja ka dalur e dyta në Komunën e Gjilanit, Junik, Vushtrri dhe Prishtinë, ku gjithashtu do të shkojë në balotazh.

Në Komunën e Gjilanit, kandidati i LDK-së për kryetar komune, Lutfi Haziri, ka dalur i dyti në zgjedhje me 43.88 për qind ose 17 mijë e 777 vota në total. Në këtë komunë ka prirë kandidati i LVV-së, Alban Hyseni me 44.50 për qind të votave ose 18 mijë e 29 vota në total.

Kandidati i LDK-së në Komunën e Junikut ka arritur të marrë 37.87 për qind ose 851 vota në total, duke u radhitur kështu i dyti në zgjedhjet e djeshme në këtë komunë. Në Junik ka prirë kandidati i AAK-së, Agron Kuçi, i cili ka marrë 47.26 për qind të votave ose 1 mijë e 62 vota në total.

LDK-ja ka dalur e dyta në zgjedhje edhe në Komunën e Vushtrrisë, ku kandidati i kësaj partie, Xhafer Tahiri ka marrë 33.77 për qind të votave ose 9 mijë e 735 të votave në total. Në vendin e parë në këtë komunë ka dalë kandidati i PDK-së, Ferit Idrizi, i cili ka marrë 34.89 për qind të votave ose 10 mijë e 57 vota në total.

Në Komunën e Prishtinës, kandidati i LDK-së për kryetar komune, Përparim Rama, ka dalë i dyti në zgjedhje duke marrë 29.35 për qind të votave ose 24 mijë e 572 të votave në total. Rama në balotazh do të garojë me kandidatin e LVV-së, Arben Vitia, i cili ka dalë në vendin e parë në zgjedhje me 42.33 për qind të votave ose 35 mijë e 433 vota në total.

Kujtojmë se KQZ-ja ka numëruar shumicën e votave në të gjitha komunat e vendit, ndërsa kanë mbetur për t’u numëruar edhe pak vota të cilat nuk mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahen më 14 nëntor të këtij viti.