Ruçi me homologen serbe: Shqiptarëve në Preshevë t’u mundësohen të drejtat e plota

26.04.2018 14:29:41
Bashkëpunimi rajonal drejt integrimit europian është një proces transformues pozitiv për të gjitha vendet.

Kështu deklaroi kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, gjatë një takimi në Estoni, me kryetaren e Parlamentit të Serbisë, Maja Gojkoviq.

Gjatë takimit u vlerësuan hapat e ndërmarra në vitet e fundit ndërmjet dy vendeve për intensifikimin e marrëdhënieve politike-ekonomike-tregtare.

“Rekomandimi i pakushtëzuar pozitiv për hapjen e negociatave të pranimit me Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe bisedimet e intensifikuara me Malin e Zi dhe Serbinë, janë një njohje e meritave të këtyre vendeve në fushën e betejave të vështira për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Strategjia e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor ka qenë një proces transformimi për të. Sot ky është një rajon që i kushtohet tërësisht projektit evropian”, tha ai.

Pikë e bisedimeve gjatë takimit ishin edhe çështjet e dialogut Kosovë-Serbi, si edhe të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, raporton ATSH.

Përsa i përket dialogut, kryetari i Kuvendit u shpreh i vendosur se Shqipëria mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimit Europian, e cila do të mundësoj gjetjen e zgjedhjeve të përbashkëta për disa çështje të rëndësishme për të mirën e qytetareve të dy shteteve.

Ndërsa për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Ruçi tha se Qeveria shqiptare e sheh me shumë interes të veçantë situatën e shqiptarëve që jetojnë në Serbinë Jugore, në mënyrë që atyre t’u mundësohen të drejtat e plota si përfshirja në jetën socio-ekonomike të vendit etj.

“Ne presim vëmendje më të madhe nga Qeveria serbe për pajisjen e nxënësve të Luginës me tekstet e gjuhës shqipe, që është një detyrim ligjor dhe kushtetues, por gjithashtu një detyrim që rrjedh nga konventat ndërkombëtare, pjesë e të cilave është Serbia. Jemi të gatshëm në çdo moment për të kontribuar në gjetjen e një zgjidhje të shpejtë për këtë çështje përmes zhvillimit të takimeve të nivelit të ekspertëve ndërmjet dy ministrive të arsimit”, u shpreh Ruçi.